E Martë 30 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: VANGJEL ZENGO DHE VEPRIMTARIA E TIJ

VANGJEL ZENGO DHE VEPRIMTARIA E TIJ 2 months 5 days ago #428

  • STEFANI
  • STEFANI's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 50
  • Thank you received: 1
  • Karma: 0
VANGJEL ZENGO DHE VEPRIMTARIA E TIJ


Vangjel Zengo (1875-1941). Është djali i madh i Papa Jani Zengos. Pasi kreu shkollën plotore në gjimnazin grek të Korçës, shkoi në Agion Oros, ku mësoi e më pas punoi deri në vitin 1899 si piktor ikonash e pikturash murale. Atelieja ku ai ka mësuar, ashtu si shumica e piktorëve të tjerë dardharë, ka qënë ajo e Grigor Zdrulit.

Më 1899 kthehet në Dardhë. Më 1902 martohet me Vasiliqi Korçarin dhe nga kjo martesë lindin 7 vajza, katër prej të cilave do të vazhdojnin profesionin tradicional të familjes. Gjatë viteve të qëndrimit në Dardhë 1899-1907 ai pikturoi kishën e “Shën Gjergjit” si dhe ikona të tjera për kishat e fshatit. Më 1906 bëhet sipërmarës për pikturimin e kishës së madhe të “Shën Gjergjit” të Korçës dhe punon në të për disa vjet së bashku me dy piktorë të tjerë Anastas Papa Postol Ziçishtin dhe Sotir Papa Ilia Dardhën (Kere).


vangjelizengo1.jpg


Për tre vjet 1909-1911 ai ka qënë gjithashtu sekretar i degës së Dardhës të shoqërisë shqiptare “Vatra” të Bostonit USA. Më 1910 vendoset me banim në Korçë së bashku me familjen. Më 1914 së bashku me tre vajzat e tij (Thomaidha, Androniqi, Sofia) mërgon në Greqi (Almero) Vollo dhe më vonë në Velica ku punon si ikonograf sipërmarës. Më 1921 kthehet përsëri në Korçë dhe po gjatë këtij viti bashkë me vëllanë e tij Efthimin, dekorojnë xhaminë e Mirahorit si dhe mjaft banesa qytetare.

Gjatë vitit 1921-1923 pikturon kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë, më 1929 kishën e “Shën Mërisë” në Korçë, më 1930 kishën e Hoçishtit dhe më pas plotëson pikturën murale në kishën e “Shën Kollit” në Bellovodë. Më 1932 punon në kishën e “Shën Thanasit” në Korçë, më 1933 në kishën e “Shën Triadës” Korçë e më vonë kishat e Polenës, Porodinës, Oparit, Mujasit, dhe më 1936 e më tej në katedralen e Korçës. Veç këtyre ka plotësuar me ikona kishën e “Shën Kollit” të Bridgefordit në Amerikë.

Siç shihet, veprimtaria e piktorit Vangjel Zengo është mjaft e madhe, madje pa ditur edhe punimet e tjera në vendet e Ballkanit, veçanërisht në Agjio Oros ku ai ka këndin e tij ashtu si në Rusi dhe në Amerikë. Ai është një nga piktorët më prodhimtarë të mesjetës së vonë shqiptare. Në Muzeun e Artit Mesjetar Shqiptar në Korçë, janë identifikuar rreth 180 ikona të tij.

Duke studjuar e vlerësuar veprat e këtij autori konstatojmë se ai është një piktor me talent, i përgatitur mjaft mirë dhe premtuës i denjë dhe në ikonografi dhe në pikturën murale. Ai njeh mirë vizatimin, kompozimin dhe ngjyrën. Ka krijuar dhe fiksuar tipin e figurave të tij. Tip i veçantë, i bukur dhe me psikollogji sipas skenave që trajton. Shumica e ikonave të tij janë njëfigurëshe. Për vlerësimin e mirë që u bëheshe punimeve të tij, vajzat e Vangjel Zengos ruajnë disa shami mëndafshi të cilat u dhuroheshin piktorëve më të preferuar nga monastiret porositës. Në krijimtarinë e Vangjel Zengos vënd ze dhe piktura me përmbajtje laike. Ai ka pikturuar portretet e gjyshit, të nënës, të Fan Nolit, Sotir Pecit, Vasil Tromarës etj. si dhe disa kompozime “Përcjellja e djalit Ushtar”, “Beteja e Skënderbeut”, “Skënderbeu në kalë” etj. disa prej të cilave ndodhen në galerineë e arteve figurative në Tiranë.

ikonat-vangjeli.jpg


Të gjita punimet e tij janë në teknikën e vajit, por një teknikë e tillë që përpiqet të afrohet dhe të imitojë atë të temperas. Materialet mbi të cilat ai ka pikturuar janë të ndryshme dru, beze, kompensatë, llamarinë,etj.
I riu me i ri,
I bukuri me i bukur,
I shendoshi me i shendoshe,
behet kur viziton Dardhen.
Last Edit: 2 months 5 days ago by STEFANI.
The administrator has disabled public write access.

VANGJEL ZENGO DHE VEPRIMTARIA E TIJ 2 months 5 days ago #429

  • STEFANI
  • STEFANI's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 50
  • Thank you received: 1
  • Karma: 0
Kisha Ortodokse aty ku fshihen veprat ikonografike- Kujtime Gjergj Antoniu - Botuar me 2007.

Nga Blerina Goce - Gazeta Metropol

Pjesë domethënëse e kishës së ndërtuar, ato "strehojnë" rreth dy vjet punë të mundimshme të këtyre emrave, të cilët në vitet 1963-1965 iu përkushtuan krijimit të figurave të shenjtëve. Katër Ungjillorët, katër profetët, figura e Krishtit apo engjëjt janë pjesë e kësaj "vepre", tashmë të harruar nën gëlqere.

"Njerëzit duhet ta dinë që në atë vend, ku ata bëjnë këto rite, nën gëlqere ekzistojnë këto punë",- shprehet djali i piktores dhe ikonografes Androniqi Zengo, Gjergj Antoniu. Sipas tij këto punë janë vërtet me vlerë dhe duhet të gjendet një e vërtetë, që çuditërisht prej vitesh është lënë "në gjumë". Një e vërtetë, nën gëlqeren e kishës që për vite iu desh të shndërrohej në magazinë e kështu me radhë, derisa u rikthye sërish në një vend ku kryhen rituale fetare. Por, pakuptimisht me identitet "të tkurrur".

Një "lutje" për Krishtin?!

Sipas Gjergjit vetëm për të vizatuar kokën e Krishtit- 1 m e gjatë, nënës së tij, Androniqit i janë dashur gjashtë muaj punë me kokën lart. Pa llogaritur punën me pjesët e trupit të Krishtit, një figurë më shumë se 4 m e gjatë.

"Nëna ka bërë pjesën e kupolës, dy ungjillorët në vazhdim të figurave anësore. Dy ungjillorët e tjerë i ka bërë tezja ime. Katër profetët (rreth 1.5 m të gjatë secili) dhe pjesën e mëposhtme të tyre i ka bërë po Androniqi Zengo, kurse pjesët e brendshme Akili",- thotë Gjergji, duke ritheksuar se ka qenë një punë vërtet plot përkushtim dhe që me të vërtetë mban vlera, të cilat duhen zbuluar. "Kjo është e vërteta",- shton ai, ndërsa tregon me kujdes fotografitë e këtyre figurave, të ruajtura që nga viti 1964 nga nëna e tij e më pas nga vetë ai.

Një kishë në vitin '64

Kisha Ortodokse e njohur ndryshe si "kisha e re" në rrugën e Kavajës është ndërtuar në vitin 1964. Në një kohë, kur vetë shqiptarët dhe Shqipëria ishin në kulmin e sulmeve kundër ideologjisë fetare. Disa e interpretojnë ndërtimin e kësaj kishe me përligjien e politikës të pushtetarëve të regjimit komunist, "për përkrahje nga diaspora shqiptaro-amerikane". (Në fillim të viteve '60 Shqipëria zyrtare u përgatit për të pritur Fan Nolin, vizita e të cilit u shty. Ndërsa ai vdiq më 1965). Në vitin 1965, Kisha e re menjëherë u shndërrua në palestër sportive. Deri në vitet '90-të kjo kishë ka kryer një varg funksionesh e më pas u "rikthye" sërish në institucion fetar.

Në gjurmët e një tradite

Të rritura në një mjedis ku arti ikonografik vinte natyrshëm si një lloj "trashëgimie", dy nga vajzat e familjes Zengo do të perfeksiononin më tej një udhë të nisur më parë nga i ati i tyre, Vangjeli dhe më tutje në kohë, nga gjyshi Jani.

I lindur më 1875 në Dardhë të Korçës, Vangjel Zengo, shfaqi prirjet e tij për të vizatur që kur ishte fëmijë, në shkollën 7-vjeçare të fshatit. I ati i tij, Jani Zengo, mësues në fshat (Dardhë) ishte njëkohësisht edhe ikonograf (amator), fotograf, skalitës guri, rrobaqepës dhe së fundmi prift. Ai vdiq më 1912. Jani kishte një vëlla që ishte ikonograf në manastirin e Kariës në malin Atos (mali i Shenjtë) në Greqi. Veprat e tij dalloheshin për cilësi të mirë dhe pëlqeheshin nga priftërinjtë e murgjit e Malit të Shenjtë. Pikërisht tek ky u dërgua Vangjeli, pasi kishte bërë dy vjet në shkollën e mesme të Korçës dhe pasi mësoi nga i ati zanatin e fotografit. Ishte viti 1891. Në Malin e Shenjtë, Vangjeli qëndroi tetë vjet. Bënte jetën e murgut dhe njëkohësisht mësonte ikonografinë. Ikonat e Vangjelit shquheshin ndër të tjerët për nivelin e dallueshëm artistik dhe shpesh ai shpërblehej me dhurata simbolike, si: shalle të ndryshëm mëndafshi, nga të cilët Vangjeli ka marrë me dhjetëra. Ikonat e bëra prej tij qenë porosi nga kishat e manastiret e Odesës. Shumë nga këto ikona janë të fotografuara nga vetë Vangjeli, i cili ushtronte ndërkohë edhe profesionin si fotograf. Në vitin 1899 kthehet sërish në Dardhë. Fillimisht kujdeset për vëllezërit e motrat dhe njëkohësisht punon si ikonograf e fotograf me porosi individuale të ndryshme.

"Vizatimi" i kishave të Korçës

Në 1902 martohet dhe më vonë bëhet baba i 7 vajzave. Po në këtë periudhë pikturoi kishën e Dardhës. Më 1905 me ndërtimin e kishës së Shën Gjergjit në Korçë (kjo kishë ishte aty ku është sot Biblioteka) u përzgjodh pikërisht Vangjeli për të pikturuar. Për të u punua rreth dy vjet dhe Vangjeli mori shumë vlerësime për punën e tij ditën e inaugurimit. Në realizimin e ikonave të kësaj kishe ndihmuan edhe ikonografët A. Ziçishti dhe S. Kere. Fatkeqësisht kjo kishë tashmë nuk ekziston.

Në vitin 1911 pasi bleu një shtëpi në zonën e vjetër prapa monumentit të luftëtarit të lirisë, Vangjeli vendoset familjarisht në Korçë. Edhe këtu ai kishte mjaft porosi, madje edhe porosi për ikona të fesë myslimane nga besimtarë islamë.

"Riudhëtimi" në Greqi

Më 1914 shkon në Greqi dhe qëndroi katër vjet në Almero Vollos dhe tre vjet në Qifisihorion Velica (afër Athinës). Gjatë kësaj periudhe ai punoi shumë ikona për kishat e manastirit të këtyre vendeve.

Në 1921 kthehet në Korçë dhe po këtë vit pikturoi xhaminë e madhe të qytetit së bashku me vëllezërit e tij, Eftimin e Nikollën që qenë ndihmësit e tij.


Në kishën Evangjeliste dhe përtej…

Në vitet 1922-1924 pikturoi kishën e Evangjelizmit në Tiranë. Kjo kishë ishte ku sot është hotel 15-katëshi, ku ka marrë dhe fletë lavdërimi për punën e tij. Në vitet 1926-1937 së bashku me vajzat e tij piktore ka pikturuar kishat e Shën Mërisë, Shën Thanasit, Shën Triadhës në Korçë, Kishën e Hoçishtit, Kishat e Bollovodës, Marjanit, Polenës, Oparit. Në vitet 1935-1936 filloi kishën e Mitropolisë në Korçë, e cila u mbarua pas 10 vjetësh nga vajzat e tij piktore. Në serinë e kishave të shumta janë edhe ikonat e kishës së Shën Premtes në Brigbord të SHBA, të cilat i punoi sipas porosisë që iu bë. Ai mori për to fletë lavdërimi dhe gazetat e Bostonit vlerësuan nivelin e lartë artistik të ikonave. Këto u realizuan në vitet 1937-1938.

Piktura dhe arti i fotografisë

Veç kishave (ikonave) ai ka pikturuar edhe shumë piktura. V. Zengo pikturoi disa herë portretin e Skënderbeut, tablonë "Beteja e Skënderbeut me turqit" (ndodhet tek muzeu i Krujës), tablotë: "Betimi i shqiptarëve", "Vallja e luftëtarëve", "Përcjellja e djalit ushtar", portretet e Fan Nolit (Muzeu Kombëtar), Sotir Pecit, Mihal Gramenos, etj.

Shumë tablo në mur dhe në beze, porositeshin nga familje artdashëse, në raste fejesash e martesash, si: tablotë "Paridi dhe Helena e Trojës", "Leximi i vjershave të Homerit", etj. Për shtëpinë e tregtarit korçar Rako punoi 6 tablo me përmasa 2 m X 1.5 m, ku paraqiteshin aspekte nga jeta nomade.

Si fotograf ai realizoi në celeluoid qindra fotografi. Ndër to ka shumë nga ikonat e pikturuara në vite. Ka fotografi me pamje nga fshati Dardhë, portrete me kostume popullore, fotografi të pjesëtarëve të familjes e të fisit, njerëz të njohur, familjarë, etj. Në vitet e fundit të jetës punoi më pak pasi u sëmur dhe në 20 mars të 1941 ai u shua.
I riu me i ri,
I bukuri me i bukur,
I shendoshi me i shendoshe,
behet kur viziton Dardhen.
Last Edit: 2 months 5 days ago by STEFANI.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.155 seconds