E Martë 30 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: DY FOTOGRAFE TE HERSHEM NGA DARDHA E KORCES

DY FOTOGRAFE TE HERSHEM NGA DARDHA E KORCES 5 years 3 weeks ago #51

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Nga Qerim Vrioni

Dardha, fshati i dëgjuar malor në rrethin e Korçës përmendet jo vetëm si vend i bukur turistik, por njëkohësisht edhe si një emër me “peshë” në historinë e fotografisë shqiptare. Ndoshta natyra e tërheqëse dhe jetesa disi qytetare e tij (në fund të shekullit XIX, kishte rreth 400 shtëpi), ka ndihmuar që nga ky fshat të dalin, përveç “Shenjëzës Zengo” me fotografët, ikonografët, piktorët e njohur që mbajnë këtë mbiemër, edhe artistë e fotografë të tjerë jo nga ky fis i nderuar.
Dy nga këta fotografë, pikërisht Pero Kaçauni dhe Thimi Raci, do jenë objekt i shkrimit tonë. Me këtë rast i shprehim mirënjohjen z.Sotir Laço, “një dardhari të fortë” që jeton në Detroit (SHBA), për disa të dhëna mbi jetën e tyre të cilat ai na i ofroi me kënaqësi.



perokacauni.jpg



PERO KACAUNI, emri i plotë i të cilit ishte Perikli Kaçauni (Dardhë,1880-Boston,1949), ka qënë njeri nga tre djemtë e Jovan Kaçaunit, sharrëxhi nga Dardha, i cili e ushtronte mjeshtërinë e tij edhe jashtë vendit si në Greqi, Rumani madje, edhe në Rusi. Në këtë të fundit e, pikërsht në qytetin Odesë, Peroja, pa mbushur ende 20 vjetë, mësoi zejen e fotografit e nisi të punonte me të. Me t’u kthyer në vendlindje, filloi të fotografonte këtu për nevoja të komunitetit të fshatit ngjarje te tilla si lindje, martesa, vdekje e raste festash, por edhe si kënaqësi, të themi estetike. Duke fotografuar pamjen e Dardhës kah fundi i shekullit XIX ai ka krijuar një foto me vlera të veçanta dokumentare dhe historike.
Pasi punoi disa vjetë në fshatin e lindjes, më 1910, Peroja shkon në Amerikë, në qytetin Boston, ku banonin shumë shqiptarë, sidomos dardharë. Aty, ai hapi një studio moderne fotografike me emrin “Perry Studio 29 ½ Tremont St. Boston Mass”, në të cilën ngriti dalëngadalë jo vetëm nivelin teknik, të punimeve të tij fotografike, por edhe atë artistik. Disa fotoportrete të Pero Kaçaunit e kalojnë cakun e një shkrepje rutinore si kujtim a nostalgji. Ato, për shkallën e rrokjes së karakterit dhe psikologjisë së subjektit, mund të quhen pa mëdyshje, fotografi artistike. Në Boston e rrethina, ai përveç foto shqiptarësh që bëheshin për t’u a dërguar familjarëve të tyre në atdhe, ka përjetësuar me kënaqësi edhe veprimtaritë patriotike të bashkëatdhetarëve të grupuar në shoqëritë “Dardha” dhe “Vatra”. Këto fotografi, shërbejnë në kohën e sotme si dëshmi të forta të frymës kombëtare të tyre shumë largë atdheut.
Nga Pero Kaçauni, kultura shqiptare nuk trashëgon vetëm foto të herëshme e me vlera, por diçka më tepër edhe më të çmueshme. Ai ka lënë pas edhe një fotograf. Kështu, para mërgimit në Amerikë, ai i mësoi mjeshtërinë e fotografit bashkëfshatarit të tij gjashtë vjetë më të vogël, Thimi Raci. Madje Peroja, i dhuroi dhe gjithë aparaturat që përdorte vet në Dardhë.
Fototeka e Pero Kaçaunit (fotografi dhe pllaka xhami) që ndodhej në shtëpinë e tij në fshat, ka qënë e pasur, por ajo u dëmtua pas largimit të tij, sidomos u shpërdorua gjatë Luftës së Dytë, ngase brenda saj, nuk banonte kush, si dhe nuk u dihej vlera e tyre e madhe. Sot ruhen rreth 300 pllaka xhami dhe një numur fotografish në njerëz të ndryshëm.
Pero Kaçauni, mbahet si fotografi i parë shqiptar në SHBA (nga libri “Jehona Skënderbegiane” i Rozi Theoharit) e, si duket ai ka pasur “këmbë të mbarë”, sepse pasardhës të tij do ishin fotografë të tillë me emër si Gjon Mili, Dhimitër Mborja, George Tames etj.
Pero Kaçauni, është ndarë nga jeta në Boston në vitin 1949.



thimiraci01.jpg


Nxënësi i Pero Kaçaunit, Thimi Raci është lindur në Dardhë në vitin 1886. Fare i ri, rreth 15 vjeç, emigroi në Rumani, ku në këtë kohë kishte një komunitet të madh shqiptarësh, të cilët më 1884 krijuan Shoqërinë e të Mësuarit Shqip “Drita’ me qendër në Bukuresht. Pasi ndejti pak vite aty, kthehet në Shqipëri duke punuar si llamarinist (teneqexhi). Këtu, në fshatin e tij Dardhë, mësoi dhe mjeshtërinë e fotografit. Ai shkruan vet në kujtimet e tij :”Kur u ktheva nga Rumania në Korçë, punoja si teneqexhi, pastaj mësova zanatin e fotografit nga Peroja i Kaçaunit. Si iku Peroja, makinat i morra unë dhe kam filluar të fotografoj që në vitin 1910. E para fotografi e mirë ishte ajo e vdekjes së Papa Naumit të Zengos”.
Ndërkohë, pas vitit 1910, në një ndërtesë në Dardhë u duk tabela, sot mjaft e çuditëshme , “Thimi Raci, teneqexhi dhe fotograf”. Kjo në një kohë kur edhe në shumicën e qyteteve të Shqipërisë nuk kishte studio fotografike e, jo më në ndonjë fshat, ku dhe sot e gjithë ditës, nuk ka të tilla (ndonjë përjashtim nuk ngre peshë). Dukuria e njerëzve me dy a më shumë mjeshtëri, ka qënë një nga të veçantat e fshatit Dardhë në atë kohë. Kujtojmë se fotografi i parë këtu, Jani Zengo (1832-1912) ishte edhe prift (thirrej Papa Jani Zengo), piktor-ikonograf, skalitës guri, mësues dhe zdruktar. Kështu shënojmë këtu se Thimi Racit si teneqexhi përmirësoi përdorimin e sobave të ngrohjes edhe për role të tjera ndihmëse. Gjithashtu ai ishte amator i thekur i muzikës, i binte violinës dhe këndonte bukur.
Thimi Raci, ashtu si dhe mjeshtri i tij, Pero Kaçauni, i shërbeu bashkëfshatarëve të vet si fotograf në ngjarjet kulmore të jetës, lindje, martesa, vdekje, si dhe në panaire, festa fetare e pagane, madje dhe në fshatrat fqinjë si Sinicë, Qytezë, Boboshticë, Drenovë etj. Në këto pamje fotografike, pasqyrohet historia e krahinës, njerëzit që e kanë bërë atë e, kësisoj kanë mbetur të përjetëshëm. Si të gjithë fotografët e kohës, edhe Thimi, mbante në studio si sfond beze të pikturuar me një pamje të caktuar. E veçanta e tij qendron se ai përdorte jo vetëm një të tillë, por disa, në varësi të njerëzve a subjektit që do fotografonte. Ai ka realizuar gjithashtu thuajse të gjitha fotot e albumit turistik “Dardha”, botim i Shoqërive dardhare “Bashkimi” në Bukuresht dhe “Shpresa” në Dardhë, nën patronazhin e Entit Kombëtar të Turismit në vitin 1938. Në fotot e këtij botimi dallohet jo vetëm aftësia teknike, por dhe “syri” i hollë prej artisti i Racit, sidomos vëmendja e shija e tij për këndet e marrjes së imazheve panoramikë. Vlen të permendim se ballina e albumit është krijim i piktores së njohur Androniqi Zengo (Antoniu) (1913-2000), edhe kjo “dardhare me rrënjë”.
Disa nga fotot e Racit, janë ekspozuar afërsisht në të njëjtën kohë në Shqipëri dhe SHBA në qershor 2007. Në Shqipëri ato u përfshin në ekspozitën e dy francezëve për fotografinë e vjetër shqiptare, ndërsa në Amerikë, fotot e tij u ekspozuan bashkë me të fotografëve të tjerë shqiptarë, në Kishën Ortodokse të Uorçesterit (MASS.).
Krijimtarinë fotografike të Thimi Racit, pas vdekjes së tij, e dorëzoi i biri, Andrea, në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Ajo përbëhet prej rreth 2000 pllaka xhami e shumë fotografi dhe ruhet aty në fondin “Thimi Raci”. Disa aparate fotografike të tij, i biri i a fali Muzeut Historik Kombëtar.
Thimi Raci ka mbyllur sytë në moshën 80-vjeçare (1966) në fshatin e lindjes, Dardhë.
Fotografitë e këtyre dardharëve, janë me vlera të veçanta dokumentare, herë- herë edhe me ngjyrim artistic. Kështu, Pero Kaçauni dhe Thimi Raci, me krijimtarinë e tyre, kanë pjesën e vet në historinë e fotografisë shqiptare.
Last Edit: 5 years 3 weeks ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.199 seconds