E Martë 30 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: ENDRI KEKO (Ditari i një kinoregjisori)

ENDRI KEKO (Ditari i një kinoregjisori) 4 years 10 months ago #59

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Endri Keko


MEMEDHEU.jpg



"Ditët kalonin pa u ndjerë... shokët ishin të gjithë shumë të mirë. Mes gjashtë kineastëve të ardhshëm, mbretëronte afërsia, sinqeriteti, dashuria... Është koha kur te dera e dhomës ku punoja filloi të shfaqesh gjithnjë e më shpesh Endri, i cili, pasi shihte që isha e vetme, afrohej dhe ulej pranë meje... Me Endrin më dukej se bisedoja më me dëshirë. Kështu vazhdoi derisa një mbrëmje vetvetiu biseda jonë erdhi e u bë konkrete. Atë mbrëmje folëm gjatë, herë direkt e herë indirekt, derisa na u mbaruan argumentet dhe fjalët. Pikërisht atëherë kur nuk kishim se çfarë t\‘i thoshim më njëri-tjetrit dhe po bëheshim gati të ndaheshim, Endri nxori nga xhepi i brendshëm i kostumit një fotografi ku kishte dalë duke qeshur dhe pasi shkroi në anë të saj disa fjalë ma zgjati duke më parë në sy. Isha përballë faktit të kryer, ia mora, edhe pse nuk isha e bindur nëse duhej ta merrja apo jo atë fotografi. Pastaj ula sytë dhe lexova... "Ia dhuroj shoqkës sime më të dashur, Xhanushkës"... Nuk do të kalonte shumë kohë nga ajo çka ndodhi atë mbrëmje të datës 10 prill 1951 dhe "rastësisht" u gjendëm përsëri vetëm duke shëtitur te një nga urat mbi lumin Moskva, fare pranë Sheshit të Kuq... Befas ndjeva duart e Endrit që më përqafuan. E mbaj mend mirë që atë çast, jo vetëm nuk u largova, por mbështeta kokën te gjoksi i tij dhe ashtu e përhumbur i thashë: "Ti Endri më pëlqen shumë, por kam frikë se nuk të njoh"...

Nis në këtë mënyrë, në Moskën e largët, dashuria mes një çifti kineastësh. Me ardhjen në Shqipëri, ajo, Xhanfise Keko, do të kthehej në një prej regjisoreve më të dashura të filmave për fëmijë. Ai, Endri Keko, ndër të parët regjisorë që hodhën gurët e artit kinematografik në Shqipëri. Kanë kaluar plot 20 vjet nga vdekja e tij. Endri ishte i pari i familjes Keko, anëtarët e së cilës kanë lënë gjurmë në fushat ku kontribuuan. Ishte Endri, Xhanfisja, Dori... Tani është Iliri, të cilit duket se i ka mbetur "barra" e kujtimeve të tyre. Pas botimit të librit me kujtime të Xhanfise Kekos "Ditët e jetës sime", pritet të dalë në dritë edhe ditari i regjisorit Endri Keko, titulluar "Ditari i një kinoregjisori". Do të duhet të kalojë ca kohë, të zgjidhen pengesat e përhershme burokratike, para se t\‘ua shpërndajë miqve të familjes, ashtu siç bëri edhe me Xhanfisen. Rrëfime personale e profesionale, të dhëna interesante sa i përket rrugës së krijimit të kinematografisë shqiptare, detaje të përditshme... Janë faqe të tëra që shfletohen. Për Ilirin duhet të jetë një njohje e dytë me të atin. Prej disa kohësh e "vërtit" nëpër duar ditarin, për të cilin mund të tregojë shumë. Ishte e ngjeshur jeta e këtij artisti. Gjithnjë i angazhuar, përherë i frymëzuar për të bërë më të mirën. Gjatë gjithë karrierës artistike, numëron 68 filma dokumentarë, 35 filma kronikalë, 38 kinoditarë... të gjitha mbajnë firmën Endri Keko. Pasi del partizan në vitin 1942, Endri Keko emërohet oficer. Pasioni për artin e shtyn që në vitin 1947 të fillojë punë si referent në Komitetin e Arteve dhe Kulturës. Në vitin 1950, së bashku me një grup studentësh të tjerë nga Shqipëria, niset për studime në Bashkimin Sovjetik për t\‘u kthyer pas dy vitesh. Menjëherë fillon punë si regjisor në kinostudion "Shqipëria e Re". Po atë vit, realizon edhe kinoreportazhin e parë "Takim i përzemërt" e pas tri vitesh realizon edhe filmin e parë dokumentar "Letër nga fshati". Do të duheshin shumë vite derisa të realizonte filmin e tij të parë dhe të vetëm artistik "Krevati i perandorit". Viti 1979 shënohet edhe si viti kur ai për herë të fundit realizon një film dokumentar. "Ditë të harruara" është çaku i tij i fundit. Por kontributi i Kekos në fushën e kinematografisë shqiptare është vlerësuar me tetë dekorata e tituj, me 16 çmime e kupa festivali. Dashamirës e entuziast, i përkushtuar në punën e tij, Endri Keko ishte i pari që krijoi kronikën kinematografike dhe filmin dokumentaro-artistik. Për të si regjisor, një rëndësi të veçantë kishin skenarët. Në një artikull të vitit 1989, shkruar në maj, një muaj pas vdekjes së regjisorit, shkrimtari Dritëro Agolli kujton miqësinë dhe takimet e përhershme në kafe "Tirana", atje ku sot është Muzeu Historik Kombëtar. "Pas skenarit, ai kërkonte një tekst të gjallë, me fjalë plot kolorit, që të prekte dëgjuesin, që të mos e linte indiferent atë, që t\‘i nxirrte në reliev faktet dhe mendimet e filmit", shkruan miku i tij, shkrimtari Dritëro Agolli. Endri Keko, i lindur më 31 mars, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jetoi në këtë vend deri rreth moshës gjashtëvjeçare. Më pas, së bashku me familjen, kthehet në Shqipëri. Kontributi më i madh i regjisorit Endri Keko është në fushën e dokumentarit. Ai është regjisori i parë në këtë gjini. Realizimet e tij sillnin ngaherë ngjarje dhe fakte të vërteta të jetës. Ishte parashikues, realist, në të njëjtën kohë edhe romantik që dinte të ëndërronte, që e donte dhe e çmonte të bukurën. Keko, në të njëjtën kohë ka lëvruar edhe kinoreportazhin, filmin muzikor, historik, biografik... gati të gjitha gjinitë e filmit dokumentar. Në filmat e tij gjenden të regjistruara ngjarjet më të rëndësishme shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në vendin tonë gjatë kohës kur ai punoi. Kontrastet e forta janë një tjetër karakteristikë e filmave të Endrit. Ato forcojnë emocionet, japin dramacitetin e nevojshëm, qartësojnë mendimin. Ndoshta prej përvojës a dashurisë, ai dinte të ngjallte në krijimet e tij realen, për të përcjellë emocionin tek publiku. Endri njeri, por në veçanti ai regjisor, vjen nga kujtimet e miqve dhe kolegëve, me të cilët ndau orët e gjata të punës. Për shkrimtarin Kiço Blushi, regjisorin Endri Keko në krijimtarinë e tij më të mirë e dallon gjuha e gjallë dhe krahasuese, shprehëse dhe poetike, kuadri i pastër dhe komunikimi me spektatorin. Ndërsa për skenaristen Angjelina Xhara, një nga sekretet e suksesit të filmave të regjisorit Endri Keko është komunikimi i ngrohtë me njerëzit që i xhironte dhe me njerëzit me të cilët xhironte. Regjisori Viktor Gjika, i cili ka ndërruar jetë para pak muajsh, ka thënë për Endri Kekon se "ka ditur të pasqyrojë drejt në kinematografinë tonë dokumentare momentet e kthesave të mëdha në psikologjinë dhe mentalitetin e njerëzve të lidhur ngushtë me kushtet historiko-shoqërore, ndaj me të drejtë thuhet: Filmat e regjisorit Endri Keko kanë vulën e kohës". Xhanfise Keko i qëndroi pranë në këtë rrugëtim. Jo vetëm si bashkëshorte, por edhe kineaste. Në kujtimet e saj shkruan: "Ishte 8 prill 1989 kur humba njeriun më të afërt e më të dashur të jetës sime. Kam qenë me fat që njoha, dashurova, jetova e bashkëpunova me një njeri dhe artist si Endri"...




Vitet kalojnë e sa më shumë largohen, aq më shumë të pushton malli për tërë ata me të cilët je rritur, për ata me të cilët ke ecur rrugëve të atdheut e bashkërisht ke vënë nga një gur në themelet e tij. Kujtoj vitet e punës sime në kinematografi për më se tri dekada dhe përpara më dalin njerëzit e nderuar të viteve të luftës e punës, fshatarët, ndërtuesit, minatorët, agronomët, gjeologët, mësuesit, ushtarakët, inxhinierët, mjekët, shoferët, shkencëtarët, shkrimtarët e artistët, të cilët në filmat tanë kronikalë e dokumentarë, kanë përbërë të bukurën e së bukurës.

Ku nuk kam shkuar e ku nuk kam takuar njerëz që s\‘më janë ndarë nga mendja për vite të tëra.

Cilin të përmend e cilin të la pa përmendur?

Këta njerëz me shpirt të madh, me shembullin e tyre, më kanë mësuar ta shoh jetën në sy, më kanë nxitur të jem kurdoherë në lëvizje, më kanë ushqyer me ndjenjën e respektit ndaj punës dhe dashurisë për profesionin, më kanë vënë në mendime për të futur në filmat e mi shpirtin e madh e të pastër të tyre, dashurinë për lirinë dhe përparimin, të luftës dhe përpjekjeve për një jetë më të mirë… Janë dhjetëra e dhjetëra ata që ke quajtur shokë e miq, që i ke dashur e të kanë dashur që, me aq ndershmëri, ke ndarë gëzimet e hidhërimet. Ndaj sot, u drejtohem me respekt e mirënjohje për të gjitha ato gëzime e kënaqësi që më kanë sjellë në jetë e krijimtari.

Endri Keko

1989

(Nga pasthënia e librit me kujtime "Ditari i një kinoregjisori")



Pjesë ditari

Deri në moshën 14 vjeç nuk kisha parë kinema me sy. Në Dardhën time të dëgjuar dhe të bukur në fshatin e maleve të larta, pishave, lëndinave, luleve e bilbilave, vinin në ditët e nxehta të verës shumë makina, por asnjëherë nuk i pashë ata të sillnin ndonjë film... Kinemaja ime dhe e shokëve të mi të atyre viteve ishte e quajtura "karagjuzë", pjellë e fantazisë së popullit, e dëshirës së tij për të argëtuar fëmijët, qoftë edhe me mjetet dhe mënyrat më primitive.

Zakonisht pranë murit të një oborri ndërtohej një kasolle e vogël katërkëndëshe. Dy pjesët e anëve mbylleshin me batanije ose rrogoza, kurse pjesa e përparme me një çarçaf të bardhë. Sa ngrysej brenda në kasolle, hynin dy veta, të cilët ishin dhe ndër më të talentuarit si imitues. Njëri lëvizte figurat e përgatitura prej kartoni mbi çarçaf që ishin të mbërthyera nëpër shkopinj të vegjël. Tjetri gjatë shfaqjes mbante qirinj të ndezur për të ndriçuar figurat në errësirën e natës. Përpara perdes, në shesh, uleshin spektatorët e vegjël dhe bashkë me ta edhe ndonjë i madh, të cilët ishin të detyruar që në vend të biletës për në shfaqjen "kinematografike" të sillnin me vete nga një qiri...

Kjo ishte kinemaja e fshatit tim në ato vite kur kishte fshatra që nuk e kishin fare as atë dhe ku unë mora të parin përfytyrim mbi filmin, kinemanë. A mund të më shkonte ndërmend mua që nga një regjisor "karagjuze" të bëhesha regjisor filmi".
\SHQIP/
Last Edit: 4 years 10 months ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Kinostudio, kujtimet e Endri Kekos dhe këshilla e 4 years 10 months ago #60

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
endri.jpg


Ditari i Endri Kekos dhe fotot e prezantuara për herë të parë në gazetën tonë kanë dhënë në një mënyrë të veçantë gjithë atmosferën e përgatitjes së kinoditarit të parë shqiptar dhe inaugurimit të saj. Kjo atmosferë është e riparo në këtë jubile nëpërmjet përpjekjes dhe emocioneve njerëzore ku lexuesi ka parapara syve autorin e këtij ditari regjisorin Endri Keko, Artist i Popullit, njëri prej themeluesve të kinematografisë shqiptare. Emrat e personazheve të tjerë Xhanfise Kekos, Jani Nanos, Petraq Lubonjës, Koço Tollkos dhe Mihal Çarkës që nisën punën si kineastë në një konostudioe ende të painaguruar vinë të gjallë nëpërmjet kronikave të 60 vjetëve më parë. Puna e tyre dhe operatorëve Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Sokrat Musha e Agim Fortuzi në janë prezantuar në kinoditarin e parë, që u shfaq më 10 korrik 1952, ditën e inaugurimit të Kinostudios. Si erdhi Enver Hoxha ne Kinostudio. Sa i emocionuar ishte ai dhe të tjerët që Shqipëria vetëm tetë vjet pas luftës do të kishte një kinostudio. Gëzimi i Hoxhës për këtë vepër duket i sinqertë, sicc del edhe nga fotot e Dosierit. Veshja e tij e veçantë dhe me një stil ekstravagant në atë kohë premtonte një liri të artit dhe kinemasë. Tek ai dallohte qartë një magjepsje gjatë ditës së inaugurimit. Ja dhe kinoditari në duart e tij, të cilën artistë e përgatitën netëve pa gjumë, siç tregohet në ditarin e Endri Kekos. Kino-ditari do të hynte në histori si i pari prodhim kinematografik shqiptar i realizuar tërësisht nga kineastët shqiptarë dhe ky ditar ka akoma më shumë vlerë kur protagonistët e kësaj ngjarjeje të shënuar janë ndarë nga jeta. Pra në faqet e këtij ditari do të ndjekim si u përgatitën dhe çfarë ngjau në ditën e përurimit të Kinostudios “Shqipëria e re”. Si hyri Enver Hoxha ne Kinostudio dhe si e përjetoi atë regjisori Endri Keko, autor i ditarit.

I
E Enjte, 10 Korrik 1952
Dola nga shtëpia pa lindur mirë dielli dhe mora rrugën për në Kinostudio.
Mëngjesi ishte me qiell të pastër dhe i freskët.
Anembanë, në shtylla telefoni dhe elektriku, në ballkone e në dritare, ishin varur flamuj e parulla. Përkujtohet dita e krijimit të Ushtrisë sonë Popullore.
Rrugës, takova dhe shumë nga ata që sot e tutje do të përbëjnë kolektivin e Kinostudios. Më duket si çudi që po e fillojmë punën me kaq pak njerëz, një pjesë e mirë fare të rinj, pesëmbëdhjetë - gjashtëmbëdhjetëvjeçarë. Edhe pse shumica nuk e kanë idenë e punës në kinematografi, tek të gjithë ndihet entuziazmi për punën që na pret në të ardhmen.
Kur hymë në Kinostudio ora po shkonte gjashtë. Çdo gjë shkëlqente. Më bukur as që mund ta imagjinoja. Edhe zogjtë sot sikur këndonin ndryshe. Një ndjenjë e thellë kënaqësie më pushtoi.
Disa minuta më pas erdhi Misto Treska me Fatmir Gjatën. U treguam kopjen e re të kinozhurnalit. Nuk patën vërejtje. Dolëm. Në ecje e sipër më kapi për krahu shoferi që i kishte sjellë ata.
- Megjithëse sot keni shumë punë, - më tha ai, - dua të të kujtoj që, kur të bëni ndonjë film për luftërat e para, mos harroni të më nxirrni edhe mua se kam qenë shofer i Fan Nolit sapo u bë kryeministër.
- Mirë, - i thashë, dhe mbajtja shënim emrin e tij: Kolë Beltoja.
Vetvetiu më erdhi ndërmend një porosi e pedagogut tim Ilia Petroviç Kopalin gjatë leksioneve në Moskë... Ajo që sot mund të duket e parëndësishme, nesër mund të vlejë shumë. Pa fakte, dokumentaristi nuk mund të bëjë asnjë hap. E tërë puna e tij është e ndërtuar mbi faktet.
Jashtë, në oborr, teknikët e Kinostudios dhe të Radio - Tiranës vazhdonin punën për vendosjen e mikrofonave dhe altoparlantëve. Pas disa minutash, dolën aty edhe kinooperatorët me aparatet e xhirimit.
Në orën nëntë rruga përpara Kinostudios ishte mbushur plot me njerëz që kishin ardhur nga qyteti më këmbë apo me biçikleta, karroca, kamionë, pajtonë. Kishte aty nëpunës e ushtarakë, punëtorë, nëna dëshmorësh, invalidë të luftës, nxënës, artistë, shkrimtarë.Ndërkohë, fshatarët që kishin ardhur nga ana e Dajtit lëviznin ngadalë përbri kangjellave të oborrit të Kinostudios dhe prej andej përpiqeshin të shikonin sa më mirë ato që i tërhiqnin më shumë në vështrimin e parë, statujat mbi hyrjen kryesore.
A kishte kënaqësi më të madhe për grupin e skulptorëve dhe piktorëve tanë që punuan këtu për muaj të tërë... Odise Paskalin, Llazar Nikollën, Janaq Paçon, Andrea Manon, Shaban Hadërin, Enver Toptanin, Vangjush Mihon, Abdurrahim Buzën, Nexhmedin Zajmin, Sadik Kacelin, Qamil Grezdën?...
Kur ora po afronte dhjetë dhe oborri i Kinostudios ishte mbushur plot, dikush porositi që të pakësoheshin lëvizjet e tepërta. Kaq u desh. Anembanë u hap lajmi se në inaugurimin e Kinostudios do të vinte vetë Enver Hoxha.Të mëndhenj e të vegjël filluan të shtyhen, të ngjeshen, të ndërrojnë vendet, të dalin përpara. Eshtë dëshira e të gjithëve për ta parë sa më afër udhëheqësin.
Shkova tek operatorët. Jani Nano me Mehmet Kallfën morën aparatin me gjithë stativ dhe e vendosën pranë hyrjes kryesore. Kjo lëvizje e bërë me shpejtësi hoqi nga njerëzit edhe atë pak dyshim që mund të kishte mbetur për ardhjen e Enver Hoxhës. Filluan këngët, parrullat, duartrokitjet. Dita e filmit po festohej si një nga ngjarjet më të mëdha të Shqipërisë.Jetoj me këtë atmosferë dhe mendja më shkon tek një i njohuri im i largët, Andrea Stamati. Sa mirë do të ishte sikur të ndodhej edhe ai sot këtu dhe të shikonte me sytë e tij se ç’është e zonja të bëjë Shqipëria jonë!...
Isha takuar me të fare rastësisht, në korrik të vitit 1951, gjatë një udhëtimi me tren nga Xhauxhikau, një qytet në jug të Bashkimit Sovjetik, për në Moskë. Nuk e di se si ndodhi, por, ai me ta marrë vesh se unë isha shqiptar, m’u afrua dhe m’u lut që ta vazhdonim rrugën bashkë. Ishte nga Thesalia e Greqisë, një djalë rreth të tridhjetave dhe shumë i përzemërt. Më tha se merrej me kinematografi dhe se kishte grumbulluar një material të bollshëm për të shkruar historinë e kinematografisë së vendeve të Ballkanit. E pyeta se çfarë dinte për kinematografinë e Shqipërisë. Hapi një fletore dhe filloi të më tregojë. Nuk po u besoja veshëve. Sipas shënimeve të tij, kinematografinë tonë e kishin krijuar në vitet e para të çlirimit, jugosllavët. Ata, duke u mbështetur gjoja në kërkesën e bërë prej nesh, kishin marrë përsipër të krijonin bërthamën e kinematografisë shqiptare dhe për këtë kishin dërguar në Tiranë dy operatorë, Lubisha Ivkoviçin dhe Nebosha Lolin. Këta, gjithnjë sipas tij, pas një pune të organizuar teorike që kishin bërë me disa nga njerëzit tanë dhe nga një aktivizim i gjithanshëm i tyre në disa dhjetëra filma kronikalë e dokumentarë që kishin xhiruar gjatë viteve që qëndruan në Shqipëri, kishin krijuar mundësitë që Shqipëria të kishte tashmë kinematografinë e saj...E tmerrshme!... Përballë këtij trillimi të pashembëllt, m’u desh t’i tregoja qetësisht bashkëudhëtarit tim se, jugosllavët (ndoshta operatorët Ivkoviç dhe Lolin) gjatë viteve 1946 - 1948 kishin realizuar një apo dy kinoreportazhe mbi Shqipërinë por jo të kërkuar prej nesh pasi nga viti 1946 gjithçka ka ndodhur aty i kanë xhiruar dy kinooperatorë shqiptarë. Kjo është “ndihma” jugosllave për të cilën ata kërkojnë që ne t’u njohim meritën e krijuesve të kinematografisë shqiptare... Pastaj i tregova se, para jugosllavëve në Shqipëri kanë xhiruar austriakët në vitet ‘30 dy filma dokumentarë, sovjetikët menjëherë pas çlirimit xhiruan një film dokumentar, pa folur për italianët që në vitet ‘20 - ’30 kishin xhiruar dhjetra kronika dhe kinozhurnale, megjithatë, askush nuk e ka pretenduar një gjë të tillë... Në fund, ju prezantova duke i thënë se, unë isha një nga gjashtë shqiptarët që po përgatiteshin në Moskë për të punuar në Kinostudion që do të hapej së shpejti në Shqipëri dhe se, ashtu si ne, ishin përgatitur edhe të tjerë shqiptarë në Pragë e Moskë...
Ja thashë bashkëudhëtarit tim të gjitha këto, që ai të mësonte të vërtetën dhe të ndahej prej meje i qartë se, krijues të kinematografisë shqiptare janë vetëm shqiptarët...
Në orën dhjetë, dikush thirri: “Erdhi!” Si të gjithë, edhe unë ktheva kokën andej nga pritej të vinte udhëheqësi. Pa kaluar disa sekonda, tek hyrja kryesore pashë të zbriste nga vetura Enver Hoxha i veshur me kostum të bardhë. Pas tij, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani, antarët e Byrosë Politike Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku e Spiro Koleka dhe nënkryeministri Bedri Spahiu.
Oborri oshëtiu nga ovacionet e pandërprera.
Shikoja rreth e rrotull se si njerëzit s’përmbaheshin dot nga gëzimi dhe më vinte inat që këtë tablo të mrekullueshme, ne nuk ishim në gjendje ta xhironim në film me atë bukuri dhe ato emocione që krijoheshin nga çasti në çast. Dy aparatet tona marrës, ashtu si ishin, të mbërthyer në stativa, mund të fiksonin në film shumë gjëra, por ata nuk mund të fiksonin kurrsesi ato që flisnin këtu më shumë se çdo gjë tjetër: detajet. Këtë e kuptoj unë, këtë e kuptojnë edhe kinooperatorët të cilët sot për sot nuk mund të bëjnë më shumë.Me shqetësimin për të dokumentuar sa më mirë gjithshka po ndodhte, xhiruam mitingun ku përshëndetën kryetari i Komitetit të Arteve dhe Kulturës Fatmir Gjata, nënkryeministri Bedri Spahiu, një specialist sovjetik e një specialist shqiptar dhe shkuam vendosëm aparatet përpara hyrjes kryesore të kinostudios ku do të bëhej prerja e shiritit.
Pas disa çastesh shpërthyen duartrokitjet dhe drejt shiritit të kuq u afrua Enver Hoxha. Ai zgjati dorën dhe pasi mori gërshërët nga tabakaja që mbante në duar Xhanfise Çipi, shoqja dhe kolegia ime, preu shiritin duke uruar të gjithë të pranishmit “Ta gëzoni Kinostudion!”.
Ai kapërceu derën kryesore.
Në një moment, ndërsa po ecte nëpër holl, u paraqit nevoja të afrohem pranë tij. Më dha dorën dhe buzëqeshi.
- Puna e parë që ju duhet të bëni, - m’u drejtua Enver Hoxha, - është të mësoni të jini të thjeshtë dhe të mbani kurdoherë lidhje të ngushta me popullin, pasi vetëm kështu do të mund ta njihni mirë jetën e tij, hallet, gëzimet dhe përpjekjet e mëdha. Ju jini në hapat e para të punës, prandaj ato hidhini që në fillim mirë. Merrni nga të huajt atë që u duhet, atë që është më e mira, por para së gjithash, frymëzohuni nga historia e lavdishme dhe puna heroike e popullit tonë pasi vetëm kështu do të mund të pasqyroni me vërtetësi, përpjekjet e njerëzve të thjeshtë në të gjitha fushat e punës ndërtuese dhe krijuese dhe ndryshimet në jetën e tyre. Vetëm kështu do të bëni që filmat tuaj t’i shërbejnë kurdoherë popullit, ta edukojnë atë mirë dhe drejt, ta zbukurojnë jetën e tij.
Me këto fjalë, mbërritëm në repartin e zërit. Ishte vendi ku ne do të shfaqnim kinozhurnalin Nr.1, filmin tonë të parë shqiptar, ideuar, xhiruar, montuar, inçizuar dhe përpunuar, tërësisht me forcat dhe mjetet tona.Zemra filloi të më rrahë me të madhe. Shoh shokët: Hamdiun, Sokratin, Janin, Xhanon, Koçon, Petraqin, Mishën... Të gjithë janë po aq të shqetësuar sa dhe unë.
Në sallë u vendos qetësia.
Nga pulti u dëgjua zëri i Koços: Gati!
Lavdiu fiku dritat dhe shkeli butonin e aparatit të projeksionit.
U mbështeta në karrige dhe i mbërtheva sytë në ekran. Çdo gjë po shkonte shumë mirë. Shumë mirë projeksioni, shumë mirë zëri, shumë mirë reagimi. Kur në ekran dolën punëtorët të lidhur me litar në Shkëmbin e Shkopetit, Enver Hoxha duartrokiti. Duartrokiti edhe kur u nis karvani me grurë nga fshatrat e Lezhës për në depot e shtetit.
Pas dymbëdhjetë minutash dritat u ndezën dhe në sallë shpërthyen duartrokitje. Kishte mbaruar projektimi i kinozhurnalit Nr. 1, i të parit film të Kinostudios “Shqipëria e re”.Enver Hoxha u ngrit në këmbë dhe për disa sekonda nuk foli. Duket priste të afroheshin më afër se kushdo, ata që kishin punuar për realizimin e kinozhurnalit.
- Kinozhurnali ishte i bukur, kishte jetë, gjallëri. Mbi të gjitha, ai është një fillim shumë i mirë dhe i mbarë. Urime! - tha Ai duke na parë e buzëqeshur të gjithëve.
Disa çaste më vonë, tek dera kryesore, kur po ndaheshim, Nesti Zoto, drejtori i Kinostudios, i dhuroi Enver Hoxhës kopjen e kinozhurnalit Nr.1 të cilin ai e mori me një kënaqësi që i lexohej lehtësisht në fytyrë.
- Edhe një herë urime dhe punë të mbarë, - tha Ai dhe na shtrëngoi dorën me radhë, të gjithëve. Ora kishte shkuar dymbëdhjetë. Dielli shkëlqente në kupën e qiellit dhe Kinostudio “Shqipëria e re”, e bardhë si bora dhe e rrethuar prej trëndafilash të kuq, qëndronte si nusja në bash të odës.
Lum kush e ka e lum kush do ta gëzojë!

E Dielë, 29 Qershor 1952
Sot, që në mëngjes herët, me Hamdiun dhe Sokratin, shkuam në selinë e Kuvendit Popullor, ku do të mblidhej Kongresi i II - të i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Vendosëm përkohësisht dy kamerat në pikat bazë (tribunë - sallë) dhe u ulëm të bisedonim rreth planit të xhirimit. Ramë dakord të bënim një suzhet të karakterit informativ, pa hyrë në hollësira mbi raportin dhe pa dhënë me radhë çdo diskutim. Kryesorja do të ishte filmimi i entuziazmit të rinisë sonë.Qysh në minutat e para ndjeva se të dy operatorët kishin diçka që i shqetësonte. I shihja tek bisedonin me njeri - tjetrin ndryshe nga herët e tjera, kontrollonin vazhdimisht funksionimin e kamerave, bënin prova për fokusin (sidomos në drejtim të tribunës), tregonin një preokupim të madh për ndriçimin... Pesë prozhektorët nga pesë kilovatë dhe gjashtë të tjerë nga dy kilovatë që ishin instaluar, nuk përbënin as gjysmën e fuqisë ndriçuese, që i nevojitej sallës. Mbetej që ata të përdoreshin njëherësh kur të xhiroheshin pamje nga tribuna dhe po kështu kur të xhirohej salla. Por, që të mund të bëhej kjo, nevojitej që çdo prozhektor të kishte nga një njeri në dispozicion për ta lëvizur atë shpejt dhe në kohën e duhur. I thashë shokut Pipi Mitrojorgji që merrej me çështje të organizimit në kongres, dhe, ai aty për aty ngarkoi dhjetë të rinj nga të ftuarit, që të na ndihmonin. U duk sikur çdo gjë u zgjidh.Kështu ishte gjendja në orën tetë të mëngjesit. Ndërsa kur vajti ora nëntë pa pesë minuta dhe ne u bëmë gati të filmonim hapjen e Kongresit, ndodhi ajo që na la pa sy e faqe përpara qindra të rinjve delegatë, të cilët ishin ngritur në këmbë dhe përshëndetnin ardhjen në mes tyre të Enver Hoxhës. Prozhektorët nuk u ndezën!
Dola jashtë që të mos më shihte njeri. Pas meje, operatorët, dhjetë të rinjtë e ngarkuar për të qëndruar pranë prozhektorëve dhe disa shokë nga institucione të ndryshme që deshën të informoheshin ose të kërkonin llogari për atë që ndodhi. Të gjithëve u përgjigjej një elektricist i komunales i cili ishte ngarkuar të punonte me ne:
- Nga ngarkesa e madhe e prozhektorëve, u dogjën siguresat e linjës së ushqimit. Defekti nuk është i rëndë, - thoshte ai, - por nuk mund të ndreqet gjatë seancave, pasi rrezikohet djegia e llampave të sallës.
Të trembur se mos na ndodhte ndonjë gjë akoma më e papëlqyer, vendosëm të mblidheshim përsëri në sallën e kongresit gjatë pushimit të drekës.Në orën katër defekti elektrik u rregullua, dhe, në orën pesë, kur në sallën që buçiste nga këngët partizane hyri Enver Hoxha, çdo gjë shkëlqeu si asnjëherë. Na u duk sikur edhe ne, që merrnim pjesë me dritat tona në këtë festë të bukur pune të rinisë, po lanim fajin tonë me punë të mirë. Të pushtuar nga këto ndjenja, operatorët filluan nga xhirimi dhe unë shikoja se si ata filmonin delegatët me dekorata e shenja të sulmuesve në gjoks, të rinjtë me sytë që u shkëlqenin dhe zemrat që u rrihnin fort. Sa keq e nisëm këtë ditë dhe sa mirë e mbaruam! (Pavarësisht se e ndjej që nesër do të ha një dru të mirë). Pësimi le të bëhet mësim. Me kronikën nuk luhet. E kape momentin, e fitove. Të iku momenti, e humbe. Vetëm këtu nuk ka përsëritje.
\SHQIPTARJA.COM/
Last Edit: 4 years 10 months ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Endri & Xhanfise Keko përmes një albumi fotografik 4 years 10 months ago #61

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Endri & Xhanfise Keko përmes një albumi fotografik

Vite të tëra kushtuar kinematografisë dëshmohen brenda faqeve të një botimi të veçantë. Një album që ndjek çdo hap të krijimtarisë së dy kineastëve përmes të dhënash e fotosh të rralla pas kamerave, në sheshin e xhirimit, në studiot e punës. Një punë shte

Më shumë se tridhjetë vjet pas kamerave, më shumë se tridhjetë vjet në sheshin e xhirimit, një jetë për kinemanë... Endri dhe Xhanfise Keko nuk mund të flasim më me fjalë, por çdo herë gjendet një shkak që të ngacmon për ta. Rrjedhimisht për xhirime, filma, dokumentarë, për aktorë të njohur, për fëmijë dhe kujtime. Së fundmi është një album fotografik që i kthen si protagonistë. Një botim për të dy. Në kopertinën e bardhë lexohet lehtësisht "In memoriam; Endri & Xhanfise Keko, Artistë të Popullit". Një album i plotë mundësuar me mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike, Arkivit të Filmit dhe bashkëpunëtorë të tjerë privatë. Ka dalë në dritë rreth një muaj më parë. Në të vetmen datë të përbashkët të dy kineastëve, më 20 shtator. Në këtë ditë shënohet martesa e tyre. Në heshtje, pa ndonjë promovim të bujshëm ka shkuar në duart e kolegëve e miqve, por edhe të institucioneve shtetërore. Nuk është vetëm nismë e një kujtimi, ashtu siç shënon në faqen e brendshme. Është një dokumentim i shteruar për gjithë krijimtarinë e tyre ndër vite. Nis me foto e tek-tuk ndonjë dokument që dëshmon fëmijërinë e të dyve. Nga 1924-a deri më 1949-n, për Endri Kekon dhe nga 1929-a deri më 1949-n për Xhanfisen, atëkohë firmoste ende me mbiemrin Çipi. Viti 1950 shënon për të dy rrugën drejt ëndrrës, kinematografisë. "Deri në moshën 14-vjeçare nuk kisha parë kinema me sy. Në Ddardhën time të dëgjuar e të bukur vinin në ditët e nxehta të verës shumë makina, por asnjëherë nuk i pashë ato të sillnin ndonjë film. Kinemaja ime dhe e shokëve të mi e atyre viteve ishte e ashtuquajtura \‘karagjuzë\‘, pjellë e fantazisë së popullit, e dëshirës së tij për të argëtuar fëmijët, qoftë me mjetet dhe mënyrat më primitive. Kjo ishte kinemaja e fshatit tim në ato vite, kur kishte shumë fshatra që nuk e kishin fare as atë dhe ku unë mora të parin përfytyrim për filmin, kinemanë. A mund të më shkonte mua ndër mend se do të vinte një ditë që të bëhesha regjisor filmi?" Janë pak rreshta të shkëputura nga kujtimet e Endri Kekos. Në vazhdim, ka një sërë faqesh të tilla, mendime të të dyve lidhur me realizime të caktuara apo momente kthese në krijimtari. Po për këtë ëndërr, që ata nisën e me të cilën mbyllën jetën, shkruan edhe Xhanfise Keko. "...Me fillimin e punës në Ndërmarrjen Kinematografike, duhen kërkuar edhe fillimet e fatit tim të ardhshëm. Një ditë pune të vitit 1949, krejt papritur, unë e pashë emrin tim në një listë krah pesë të rinjve të tjerë, të gjithë të moshës nga 20-27 vjeç, të cilët do të dërgoheshin në Moskë për të ndjekur një kurs fotografie. Jam e sigurt, se po të isha në shkollë, askush nuk do të kujtohej se ekzistonte një arkëtare kinemaje e jo më ta vendosnin në listë për t\‘u specializuar jashtë shtetit. U befasova dhe u habita, pasi nuk e kisha parë as në ëndërr, pa le më të mendoja se një ditë mund të studioja për kinematografi...". Më tej faqe të tëra janë të mbushura me filmografinë. Në një renditje kronologjike sipas viteve, për çdo realizim janë të dhënat e sakta. Vitet e para gjen vetëm Endri Kekon. Filmat dokumentarë, kinoreportazhet apo kinozhurnalet. Xhanfiseja s\‘ka nisur ende me krijimtarinë. Në fillim si asistente-regjisore deri sa në vitin 1963 realizon filmin dokumentar "Tregim për njerëzit e punës", të cilin ajo vetë e quan punën e saj të parë të pavarur. Faqe të tëra të këtij albumi janë të mbushura me dëshmi fotografike. Momente nga filmat, nga sheshet e xhirimit, fotografi të rralla të nxjerra nga fondi i familjes. Krah tyre, për secilin realizim gjen shënime të kolegëve, gazetarëve apo të kritikëve të kohës. Mes dosjesh janë rrëmuar edhe shënime që linin në skenarë, dorëshkrime që sillen në këtë album përmes faksimileve. Mes faqeve, herë-herë edhe copëza kujtimesh nga ta. "Është një botim dinjitoz ku mbizotëron aspekti filmik, por edhe ato pak vlerësime që kolegë, gazetarë apo kritikë të kohës kanë dhënë për punën krijuese të këtij çifti që qëndron në themelet e Kinostudios. Është dokumentimi i një krijimtarie të madhe. Xhanfise Keko do të kujtohet shumë gjatë, sepse është nga të rrallat regjisore që iu kushtua botës së fëmijëve. Është interesante të studiohet mënyra se si ajo ka punuar me fëmijët, sepse ne që jemi të fushës e dimë se sa e vështirë është të punohet me ta. Fakti që edhe sot, televizionet shtetërore apo private kanë interes të shfaqin filmat shqiptarë, e veçanërisht të Xhanfises, prodhime në të cilat nuk gjen ideologjizim, është një tregues i vlerës së tyre", shprehet regjisori Piro Milkani. Një dokumentim i plotësuar me detaje, pjesë e këtij albumi janë edhe disa foto personale e familjarëve të kohëve të fundit. Ndërsa disa shënime kolegësh, miqsh e gazetarësh mbyllin faqet e këtij botimi që i sheh bashkë këtë çift kineastësh. "Endri Keko e donte si jetën kinematografinë dhe gëzohej si fëmijë për ecjen e saj, se vetë ishte një nga pionierët e parë të lindjes së këtij arti të ri në vendin tonë. Ai ishte i pari që krijoi kronikën kinematografike dhe filmin dokumentar...", shkruan Dritëro Agolli. Do të ishin shumë ata që i njohën apo që u rritën me krijimet e tyre, që do të shënonin disa rreshta. "Nuk është e lehtë të tregosh se si një ditë prej ditësh, një djalosh nga Dardha dhe biletat e vogla të kinemave, u shndërruan në duart e Endri dhe Xhanfise Kekos, në celuloidin e parë shqiptar. Ky botim nuk ka zgjedhur të tregojë efektet e një përralle, as interpretimet dhe shpjegimet subjektive. Ai dëshmon punën kolosale të dy të rinjve shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore në fushën e kinematografisë, nëpërmjet të dhënave dhe fakteve që rreshtohen si gurë monumentalë dhe të palëkundshëm. Çdo popull ka pionierët e vet të parë të kinematografisë. Nëpërmjet filmografisë, të dhënave biografike, fotografive të rralla, jam e sigurt se publiku shqiptar nëpërmjet të dhënave për çiftin Keko do të ndiejë të dhëna që kthehen në dyfish kuptim jete nëpërmjet kinematografisë. Kjo sigurisht që është diçka e rrallë, por ama jo një ëndërr, por një pasuri e dokumentuar. Jemi me fat që sot e nëpërmjet këtij botimi e shohim Xhanfise Kekon të fotografuar me fëmijën e parë, si madonë e modernitetit dhe ky botim na bën edhe më koshientë për këto shenja moderniteti që na dhuron kinemaja e krijuar me duart tona, pavarësisht nga shtysat dhe premisat historike. Ne që e duam dhe pothuaj jemi fëmijë të frymëzuar prej imazhit, do të kemi nevojë gjithë jetën edhe për fotografinë e Xhanfise Kekos, në një pushim xhirimi...Dëshmitë e këtij botimi janë të shumta dhe vijnë në pragun e 85-vjetorit të Endri Kekos dhe 80-vjetorin e Xhanfise Kekos. Ky botim i ndjek ata hap pas hapi dhe tregon se njerëzit kanë nevojë të skalisin së bashku me kartat e tyre të identitetit edhe kujtesën e tyre kulturore kolektive pa të cilën nuk mund të kapërcejnë dot në histori. Ky botim na mëson se sa me seriozitet dhe përkushtim mund të punojnë institucionet kulturore, të cilat i kanë shumë borxhe përjetësisë shqiptare. Për këtë kemi fatin të falënderojmë në mënyrë të veçantë Ilir Kekon, autorin e këtij libri, i cili na ofron një përkushtim të cilin nuk e hasim në lidhje me studimet kinematografike deri sot", shprehet poetja Natasha Lako. Në fakt, janë "rrëmuar" dosje të tëra, shënime, fotografi në arkivin personal apo atë shtetëror për t\‘u shfletuar brenda albumit të bardhë.

\Gazeta Shqip/
Last Edit: 4 years 10 months ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.208 seconds