E Martë 30 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: Lida Lazaj (Xhamo)

Lida Lazaj (Xhamo) 5 years 2 months ago #27

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0

Attachment lidalazajxhamo.jpg not found



Net të përhënura dhe një funeral.

Tregim nga Lida Lazaj


Atë mëngjes ishte zgjuar vonë,si rrallë ndonjëherë. Dikush e thirri në emër.Hapi sytë dhe në dhomën e mbushur me dritën e bardhë të mëngjesit, ishin vetëm orenditë, që ju duk sikur e përqeshën për këtë gjumë të pazakontë. E kishte merak të zgjohej i pari,pa u shuar yjet.Të kapte frerët e jetës, përndryshe i ngjante, se në mungesë të tij, diç i kishte rrëshkitur. Kuptoi, që zëri kishte kumbuar brënda në kokën e tij dhe jehona u përhap si shqetësim, si rrathët në pellg uji të fjetur. ‘’Të paktën flenë fëmijët’’, mendoi, duke hedhur vështrimin shkarazi, përmes xhamit të derës, në dhomën ku flinim unë dhe vëllai.Te pragu mbushi kraharorin me ajrin e mermë, përzier me aromën e tymit dhe mollëve të pjekura. Punët e para, që bënte mamaja, ishte ndezja e zjarrit. Ibriku fillonte mërmërimën përsipër sobës, ndërsa në furrë piqeshin mollët e pikuara gjatë natës. Pastaj vazhdonte me fshesën e bredhtë, të fshinte plloçat nga gjethet e mollëve, që rrinin tendë mbi çati, oborr deri tutje te porta e rrugës.

Mamaja po dilte nga fasulishtja mbi oborr, me futën plot mashurka, e njomur nga vesa, me shaminë rrëzuar supeve dhe me gjethe ngjitur rrobave. J`u duk si nimfë pylli. Bimët e fasuleve kacavirreshin purtekave një boj`e gjysëm njeriu të larta dhe krijonin një mikrobotë magjike. Përmidis rreshtave, e harroje tollovinë e botës së madhe dhe ndieje lëngun klorofilik tek këndonte kërcejve, bistakëve, si gjaku, venave e kapilarëve në trupin e njeriut. Mamaja hynte mëngjes për mëngjes, e thoshte se mblidhte fasulet e thara që të mos shkërmoqeshin. Por me siguri, që e joshnin fshehtësirat këndellëse të fasulishtës.

Shqisat e tij perceptonin tinguj, ngjyra, ravgimet më të imta të mjedisit. Babi u ndie i lumtur që zotëronte jetën dhe njëkohësisht i pa fuqishëm për t`a ruajtur e mbajtur përgjithmonë. E keqja vinte nga nuk t`a priste mendja dhe gjerdani çthurej. ’’Mister i madh kjo jetë’’,mendoi duke i hedhur ujë fytyrës te muslluku.

-Pse s`më zgjove!-i tha mamasë, që i zgjati peshqirin

-S`je vonë – j`u përgjigj.

-Ti, lëri ato mashurka sot dhe bëj gati hazërllëqet- vazhdoi babi-dhe, jo si e ke huq.

‘’Huqi” i mamasë ishte, t`ë rrudhte e të mpakte gjithçka, ndryshe nga babi, që s`kishte karar e masë. Shpesh grindeshin për këto huqe të njëri-tjetrit, por më pas vinte arsyeja. Babi në heshtje e quante vlerë këtë ‘’huq’’ të mamasë dhe shpesh duke qeshur i thoshte ‘’zonja ministre e ekonomisë”.” Ndryshe , do na merte lumi’’ shtonte.

Me litarin e samarit, dhe torbën e tagjisë së Doriut mori, përpjetë udhëzës , për te kroi i mëhallës. Pa dalë në krye, dëgjoi trokitjen e patkonjve. Pranë e pranë , kali i Vasilit dhe pela e Koçit pinin ujë në postaf. Kafshët s`u trazuan ,veç u spostuan pak , si për t`i lënë vend. Mbushi grushtat me ujë dhe ia hodhi fytyrës. La çurgat e vogla t`i rridhnin parzmit, nën këmishë. ‘’Oh,ujë o ujë’’ pëshëriti. Se quante larje atë te muslluku, në oborr. Edhe kur dëbora ishte deri në gju, dhe akujt sa si mernin frymën lyfytit, atje lahej. “Ky është ujë i gjallë” thoshte. I ftohtë brisk,rridhte, gurgullonte si krijesë me shpirt. Përmes stërkalave, pa si kali dhe pela gjerbnin gllënjkat e kristalta gojë më gojë. Koçi dhe Vasili ishin vëllezër dhe në pemën gjenealogjike, ata ishin fis, dhe këto gjeste e të tjera, që bënin natën livadheve, në gjuhën e rregullave të botës njerëzore , quhen inçest. Ata s`e dinin këtë,dhe as do kishin dashur t`a dinin . Me nga një levenxë të lehtë mbi vithe, për t`u mbrojtur nga vesa, kuajt kishin privilegjin të shijonin lirinë netëve të vakta verore dhe kushedi ç`kënaqësi të tjera mblidhnin kalërisht, lëndinave të përhënura. Si luftëtarët pas betejave, pa shpata,shqyta, mburoja e jataganë, vetëm me pelerinë krahëve, lëshoheshin në prehrin e dëfrimeve. Natyrisht, edhe Doriu ynë harbonte livadheve dhe merrte pjesë në lojrat erotike. Kthehej i ngopur me bar, hënë e dashuri, pothuaj në kohën kur dilte babi dhe të dy fillonin një ditë të gjatë pune dhe kënaqësie . Babi s`linte centimetër të trupit të Doriut pa kashaisur, krehur e masazhuar, duke i pëshpëritur. Gjoksi muskuloz si shkëmb, këmbët e fuqishme të gjata, trupi elegant mbuluar me qime të shkurtër, të bardhë, të ndritur, jelja e krehur dhe bishti si fshesë ,stërpikur me fije të rralla të zeza i jepnin pamjen e një kali madhështor. Doriu përtypte tagjinë, puliste veshët, shkrofëtinte. I rrëqethej lëkura nga kënaqësia e mirënjohja.

Kali dhe pela u ngopën me ujë, kryqëzuan qafat sikur përqafoheshin dhe u larguan duke u nuhatur. ‘’ Po Doriu pse s`është me ta!? Mos jetë nga selishta!’’ mendoi babi. Një ditë më parë kishin trasnportuar për në ahur, jonxhën e tharë.

Në mbrëmje, teksa rrinin e bisedonin me xhaxha Janin mbi avlli, nën arrën e madhe, Doriu çepkaste barin e shkurtër anës së rrugës. Shkonte deri në një farë vendi dhe kthehej, qëndronte në këmbë pranë burrave, herë me pamjen e fëmijës së kënaqur, që lodron e rritet nën syrin e kujdesshëm të prindit, herë si plak i urtë që ja di kuptimin gjithçkaje, dhe largohej ngadalë për t`i lënë burrat t`i zbërthenin vetë enigmat, për të cilat filozofonin. Kështu, deri afër mesnatës. Xhaxha Jani jetonte në Amerikë dhe prej një muaji e gjysëm ishte me pushime në fshat. Me babin ishin kushërinj dhe moshatarë. Në fëmijërinë e largët vetëm gjumi i ndante. Pothuajse po bënin të njëjtën gjë, por vetëm mbrëmjeve, pasi babi çlirohej nga punët e shumta dhe xhaxha Jani nga axhenda e ngjeshur e turistit. Mes bisedave pa fund kujtonin njerëz, ngjarje, çmalleshin. Kundronin botën që nanurisej në ëndërrime. Një hënë e stërmadhe prej qiellit blu ormisur me yje, lëshonte një dritë të jashtëzakonshme.Të shkoje fillin në gjilpërë. Kushedi shiheshin a s`shiheshin më. Të nesërmen, d.m.th., këtë mëngjes që babi po kërkonte Doriun, Xhaxha Jani kishte organizuar një drekë me gjith fshatarët, në formën e piknikut. Babi kishte siguruar drutë për të pjekur mishrat, dhe duhej t`i shpinte me Doriun te vendi. Edhe vendin babi e kishtegjetur. Një zabel në mes të aheve të lartë, me një burim, si sy ujor që lotonte papushim, e loti shkonte e fshihej mes barit e luleve të egra.

-Sa kalë i bukur- se përmbante admirimin xhaxha Jani, kur Doriu vinte e ju qëndronte pranë. Dhe babi s`e fshihte ngazëllimin.

-Po, o Jani! Sikur ma dha Zoti si melhem. I tregoi kushëririt, për çkishte hequr me Verkën dhe me pas me nje kalë tjetër, Kuqon. E pagëzoi Verkë, se në diell, qimja i merrte reflekset e një vere të kuqëremtë, të errët. I lëshonin patkonjtë xixa, ishte shpuzë, zjarr si verë e vjetër. Ju shpif, një si kërpudhë mbi thundrën e njërës këmbë dhe me shpejtësi ju përhap në të dyja këmbët e prapme. S`la ilaç, bar e mjet pa përdorur, deri në torturë për Verkën dhe për shpirtin e tij, por Verka iku. I preu krahët. Pas saj, Kuqo. Ishte goxha kalë, por se si filloi të gjunjëzohej, megjithse s`e ngarkonte shumë, deri sa një mëngjes s`mundi të ngrihej. Çfarë s`bëri dhe për Kuqon. Shpresoi deri te fryma e fundit e tij. Mendonte, se ditën e Ujit të Bekuar, Kuqoja do shkonte vetë, të pinte ujë në krua. Por… dhe Kuqoja iku duke i lënë një hidhërim të parrëfyer.

-Do t`dërgoj një komplet, shalë e yzengji, për Doriun- I tha xhaxha Jani, kur u ndanë afër mesnatës.

E ndolli. U bë i tëri vesh. Heshtje. Korija shpërndante duhma- duhma ajrin e freskët të lagësht të mëngjesit dhe ushtonte nga cicërimat. Fërshëlleu dhe priti i tendosur hingëllimën. Ju përgjigj ajo, që s`do donte ta dëgjonte në atë çast. Ku-ku-ja qyqes. ’’Plaç të preftë”, shau nëpër dhëmbë dhe shqetësimi i mëngjesit tretur hullive të largta të qënies, erdh e ju mblodh makth në grykë. Liroi dy kopsa të këmishës.

Në terren të thyer malor, befasia të çfaqet pas çdo hapi. Sapo kaloi shkëmbin që pengonte pamjen, sytë ju përgjakën nga dhimbja. Doriu përdhe, mihte dheun me këmbët e para dhe s`ngrihej dot. Një shkulm ere e shtyu babin nga mbrapa, a se si i përshkoi ato pak metra që e ndanin nga Doriu, s`mbante mënd. ’’Çohu,Dori,hajt,vëlla”, dhe gati ju fut nën gjoks kalit ta ngrinte mbi shpinë. Doriu shkrofëtinte , gulçonte e shkumbëzonte, por vithet qëndronin platitur pas dheut. Babi ngriti kokën, pa greminën të mbjellë me shkëmbinj me maja të thikta, dhe në çast përfytyroi gjithçka. Dhimbja çau kraharorin e burrit e klithi ‘’Oooooh, Dori bir, o Dori”,e u përcoll jehonë shpat më shpat. Një tufë zogjsh rrahën flatrat të trembur. Dhe më pas asgjë. As malet s`lëvizën, as lumi s`e ndali rrjedhën, dhe dielli i pacipë ndriçonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vetëm ata të dy, fati i kishte goditur për vdekje, tinëzisht . Me kokën e Doriut në prehër, babi u rrudh u mpak. Lotët s`i mbajti. Vajtoi mbi kokën e tij, për kokën e tij, për Verkën, për Kuqon. Pa brënda kraharorit, zemrën të shkalafitur, përgjakur, hapur si hon që përpinte miqtë e tij , atë vetë. Sa qëndroi ashtu? Kishte humbur sensin e kohës. Dikur u kujtua. Dhimbja ishte vetëm e tij e askujt tjetër. Madje për të tjerët kishte festë. Dhe ai kishte bërë një premtim. ’’Ngrehu Dori, ngrehu se kemi punë”. Kali fisnik ndjeu zërin e përvajshëm të të zot e gulçoi pa mundur të bënte tjetër gjë. Ngadalë babi lëshoi kokën e Doriut përdhe. La torbën e tagjisë afër Doriut dhe e ngjiti kodrinën me peshën e maleve mbi supe. Barrën e druve të holla e të thata, se ndjeu fare. E disafishtë ishtë pesha e dhimbjes. Një xixëllonjë shprese, e ushqyer nga dëshira regëtinte, e cyste të kthehej sa më shpejt. Sikur Doriu të ngrihej s`do ta ngarkonte kurrë më. Të gjitha do t`i bënte vetë. Do ta mbante si kalë mbreti vetëm me shalën që do t`i dërgonte kushëriri nga Amerika. Kaloi mes ahishtës si era, për të dolë mbi kodër, ku vështrimin s`e pengonte gjë. Atje tutje, në rrugë, ku kishte lënë Doriun të shkumbëzuar nga dhimbjet, s`dukej asgjë. O Zot! Shpateve e luginës së lumit, ku s`ishte shuar ende klithja e dhimbjes, ngarendën thirrje të gëzuara. Oh Fat i pashpirt, mizor që luan me njeriun! Më vonë, dhimbjen, do ta përkufizonte me thënien filozofike të pakundërshtueshme nga asnjë filozofi tjetër. ‘’I ra drurit dhe u nda, I ra gurit dhe u ça, I ra njeriut dhe e mbajti” Krijesa fisnike në përpjekje për të ndjekur të zotin, duke duruar dhimbje të llahtarshme, kishte gërryer dheun e ishte rrokullisur dhe tre, katër metra rrëpirrës dhe kishte bllokuar rrjedhën e lumit. Ai trup i bukur elegant kishte krijuar një pellg. Me ç`mundi babi i hapi ujit një shteg.

Hyri në portën e oborrit supevarur, kokëulur,sikur mbante brenda vets një lëngatë, e ul mbi plloçat e oborrit. Mamaja ju afrua e lemerisur. Babi vetëm pëshpëriti, ‘’Doriu”

-Ku!? Si!? Çfarë!?

-Na la!

Nga intesiteti i vajit të mamasë dhe qëndrimit të ngrirë të babit, unë më e vogla e familjes, kanakarja e babit,kuptova se kishte ndodhur një gjë e keqe, më e keqe se atëhere kur vdiq gjyshja dhe mamaja hodhi mbi flokë një shami të zezë. Madje shumë e keqe se babi as i preku doçkat e mija që u lidhën kurorë qafës, as e pëshpëriti emrin tim duke i shtuar prapashtesën ‘ ..dkë’. Kjo ishte një gjë shumë e keqe dhe unë rrëshkita nën sqetullën e tij dhe lëshova rrëketë e lotëve në duart e babushit. U shkrehëm të gjithë në vaj. Pastaj na mblodhi rreth vetes. Vëllain e urdhëroi t`ju priste udhën njerëzve që do kalonin andej, për të vajtur në piknik, duke i gënjyer se ka rënë një avlli dhe gurët kanë zënë udhën. Mamaja tha mes ngashërimave:

-Jo, unë s`jam për piknik!

-Mirë, - tha babi - do vete një copë herë unë, me çupën.

-Merr dhe kazmën dhe lopatën - i tha vëllait – dhe do takohemi atje.

Afër lumit babi m`a lëshoi dorën dhe më tha:

-Rri këtu!

Si duket mendonte se unë isha tepër e vogël për të parë Doriun në atë gjendje. Unë ja bërtheva sytë Doriut dhe çapitesha instiktivisht. Gur më gur kalova rrjedhën e cekët të lumit dhe i dola te koka. Babi më pa me bisht të syrit, ndoshta i çuditur ku e gjeta guximin, unë që s`shihja dot pa u përlotur, as një flutur krahëkëputur, por s`më ndaloi. Doriu s`bënte as një lëvizje, vetëm merrte frymë me zor dhe sytë i kishte të çakarritur dhe të përlotur. Babi rrinte shtangur pa bërë gjë. Për herë të parë kuptova që në botë ndodhnin edhe gjëra që babi s`mund t`ju a ndryshonte rrjedhën. Një mizë në cep thithte lotin e Doriut. Gjithmonë kisha parë miza bezdisëse, që ai i fshikullonte me bisht. Ato çaste i isha mirënjohëse asaj që bënte pak për t`a lehtësur Doriun, kurse unë dhe babi, vetëm e shihnim me dhimbje. Afrova dorën dhe e lëmova midis syve. Babi u çudit. Si nuk qava!? As tani se di.

Sapo kishim filluar të përpjetën e kodrinës, babi pa një officer.

-Prit këtu- më tha dhe i bëri zë. Diç folën me zë të ulët.

Kur gjendëm në krye të kodrinës, dëgjuam një krismë të thatë. Shpatet e përcollën si top pingpongu. Babi lëshoi një psherëtimë lehtësuese:

-Ulemi pak , se u lodhëm! Dhe nisi të dredhë një cigare. Duart dridheshin, letra e hollë fërgëllonte e duhani shpërndahej. E la fare dhe më tha:

-Atje nuk do qajmë, mirë?

-Ëhë -,ja bëra unë.

Babi e dinte, se po të mos formuloja fjalë, lotët i kisha në grykë.

-Le t`i derdhim lotët këtu!

Aq doja unë. Mbështeta kokën mbi gjurin e tij dhe u shkreha. Babi më lëmonte flokët dhe psherëtinte.

Udhishtës mes aheve më shtrëgoi doçkën që kishte humbur mes pëllëmbës së ashpër.

-Atje s`do themi gjë, dhe nuk do qajmë, se sot është festë dhe në festë nuk qahet, por këndohet!

-Po mua s`më këndohet!

-Mos këndo, po dhe mos qaj, mirë!?

-Mirë , babi!

Babi humbi mes të tjerëve, ndërsa mua më rrethuan shoqet. Çurisnin si gardalina, duke më treguar lulet e egra, fluturat e zhuzhakët e kadifejtë, që kishin kapur. Njëra tha se, mezi më kishin pritur, që të këndonim. Unë u ktheva shpinën dhe mërmërita duke mbajtur lotët me zor:

- S`më këndohet !

Shoqet që mezi ç`prisnin të këndonin, më dolën përpara.

-Po pse?.... Po, pse qan?- pyetën.

-Na ka vdekur Doriu, – i dhashë udhë lotëve

Fjala ‘’vdekje’’ i mblodhi të lemerisura rreth meje dhe lotët tona i mori uji burimit. Babi, siç do tregonte më vonë, se dha veten deri sa grupi që këndonte, filloi një këngë që bënte fjalë për një kalë të bardhë që vraponte nëpër savanë, vraponte dhe s`kapej… E pashë që po largohej, si pa rënë në sy dhe vrapova e struka doçkën, si dallëndyshja e lagur nga shiu në çerdhen e ngrohtë. Tatëpjetë kodrës, zhytur në mendime e dhembje s`vumë re, se pas nesh, njerëzit ishin varur kodrës grupe- grupe e qarkuan vendin, ku Doriu dergjej pa jetë. Unë me shoqet qëndronim si një tufë shqerkash të trembura mbi një sop dhe shihnim të heshtura dhe të përlotura. Mbi dheun e freskët, që nxinte si një lule mavi në lëndinën me bar buzë lumit, vunë samarin e thyer. Vëllai na erdhi pranë. ‘’Rrini këtu juve se jeni të vogla”, na tha. Ishte nja tre vite me i madh se unë. I mblodhi në një tufë të vetme të gjitha lulet që kishin shoqet e mija dhe rendi e i vuri atje, ku duhej të ishte koka e Doriut. Babi gjatë gjithë kohës qëndronte në këmbë, kokëulur. Pastaj të gjithë e përshëndoshën babin dhe villain, që i rrinte në krah, si burrë i vogël.

Porta e oborrit ishte hapur. Brenda shtëpisë dëgjoheshin mërmërima grash, ndërsa në oborr burrat flisnin, pinin cigare e kafe. Tymtari nxirrte tym si në mëngjes dhe aroma e mollëve ishte zëvendësuar nga ajo e kafes.

Kur muzgu ra në oborr ishte vetëm babi, xhaxha Jani dhe unë. S`i isha shkëputur babit asnjë çast.

–Do të ndihmoj të blesh një kalë tjetër- i tha xhaxha Jani

-Eh,faleminderit - ja bëri babi, kush iku, iku. Përgjithmonë.



Porta e oborrit ndenji hapur dhe disa ditë. Babi u bë i heshtur dhe netëve më hënë ulej nën degët e arrës dhe njehsohej me drurë, gurë e gjithçka përreth. Të dy me mamanë i vinin rrotull shtëpisë, punëve të shumta dhe jetëve tona. Mamaja s`harronte të mblidhte fasulet t`mos binin përdhe. Xhaxha Jani dërgoi mjaft dollarë, për të blerë një kalë tjetër të mirë, por litari i samarit dhe torba e tagjisë mbetën varur pas portës, si pikëllim i pangushëlluar. Një ditë pranvere, babi e hodhi litarin si lisharës mbi degën më të fortë të arrës së madhe, dhe unë me shoqet dhe dallëndyshet e sapokthyera, e mbushëm mëhallën me cicërima e hare.



***

Një ditë e acarrtë shkurti, me lot, dhimbje, dëborë e dhe përzier, na ndau nga babi, për të mos u parë kurrë më. Po atë natë, babi zbriti në ëndrrën time, i qeshur, i qetë, për të jetuar së bashku në një realitet tjetër, përtej jetës e vdekjes. Një realitet kujtimesh, imazhesh, deshifrimesh, vlerësimesh. Në këtë realitet suprem kuptova se, atë ditë gushti brënda babit kishte vdekur diçka. Ndaj babi s`bleu kurrë më një kalë. Kishte frikë nga humbje të tjera, nga vdekje të tjera. Megjithatë, vdekje pas vdekje, mbërriti ajo ditë e borëruar shkurti.
Last Edit: 4 years 11 months ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Lida Lazaj (Xhamo) 5 years 2 months ago #28

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0

Attachment lidalazajxhamo.jpg not found


Tingëllonin Yjet

Nga Lida Lazaj (Xhamo)

-O Peço, po hajde o hajde!
-Erdha, erdha- u përgjigj vëllai, dhe rendi duke lidhur gjalmin e kallçinjve, që babi mbathte sipër çizmeve kur dilte për gjah. Nën ritmin e vrapit, torba prej leshi me sende, që duheshin për një ndërmarje në malin me dëborë, i tundej prapa kurrizit. Sopatën e vogël e ngjeshi pas belit, ku qarkoi disa herë një litar të hollë. Mamaja futi dhe një pagurkë të vogël.
-Kur t`ju mpihen duart – tha - fërkojini me raki.
Dëbora kishte reshtur, por qielli bojë plumbi jepte përshtypjen, se do niste sërish. Një ditë dhe një natë pa pushim, dhe gjithçka ishte tulatur nën shtresën e trashë të saj. Bardhësia thyhej vetëm nga muret prej guri të shtëpive dhe trungjet e pemëve, që ngjanin si barinj me guna të bardha.
Jo sot, po nesër, a kushedi ndonjë e shtynte qëllimisht, bredhi, simboli i festës s`kish zbritur ende nga mali. Ndërkohë, të rritur e fëmijë mereshin me diçcka që kish të bënte me natën e festës. E festonim Vitin e Ri fshatshe në sallën e madhe të shkollës. Bredhi vendosej në krye dhe ne, kalamajtë (megjithëse s`na pëlqente t`a quanim më veten të tillë,pasi kishim kaluar në ciklin e lartë të tetëvjeçares), përveç vjershave që recitonim përpara bredhit, të gjithë pa përjashtim, improvizimin e përcjelljes së babagjyshit e pritjes së Vitit të Ri e dhuratat për njeri-tjetrin, bënim me duart tona, zbukurime të gjithfarësojshme, si kafshë, zogj e lloj-lloj shiritash e figurinash prej kartoni e fletë punëdoreje me ngjyra. Në majë vendosej, me doemos, ylli i kuq.
-Eh,- psherëtiu mamaja,- e lanë për minutën e fundit. Shpejtoni djem- e ngriti zërin ,të dëgjonin dhe shokët e vëllait,- se dita e dimrit është këmbëshkurtër,- dhe vështrimin e treti përtej korijes së heshtur e zbardhur ,ku rrallë dëgjohej ndonjë klithje shpendi a ndonjë degë a pemë ahu e plakur, që thyhej me krismë nga pesha e dëborës . Ahet, rreth e qark drurit të rrëzuar, shkundnin dëborën si shami lamtumire dhe pastaj në pyll mbizotëronte qetësia e thellë.
-S`do vonohen, se e kanë shënjuar që kur prenë bredhin e vjetshëm- i thashë mamasë, për t`i hequr merakun, dhe m`u kujtua ç`më tregoi vëllai një vit më parë…
“Kërko andej këtej nëpër pyll…s`binim dakort…jo këtë ,po këtë, jo ky i ka degët e shtrembëra, jo ky është i shkurtë, pylli po errësohej, dhe më në fund, vendosë, e premë njërin që na u duk më i miri.
- Shpejt, o çuna- tha Ilka, se na zuri nata, ja doli dhe hëna!
Duke u marrë me bredhin s`e kishim vënë re. Qielli kishte ndryshuar ngjyrë, hëna kishte nxjerrë vetullën sipër Gurin të Vjeshtës dhe dëbora ishte bërë ngjyrë kulloshtre. Kishte kaq bukuri dhe kaq qetësi në mbrëmjen e mespyllit, po të harroje ujqit dhe të tjera kafshë të egra. Pllaja e bredhave me dëborë ngjante si shkallë prej mermeri që ngjiteshin në pafundësinë e qiellit. Yjet s`kishin shkrepur ende.
-Shihni, shihni,- ja bëri Golja, dhe na tregonte me dorë, - shihni atë bredhin atje mbi sop.
Sa i bukur!! Një bredh i vetmuar, në sfondin blu! I gjatë, hapur degët në mënyrë simetrike , i drejtë. Vërtet i bukur! I lartë, sa mund të prekte tavanin e sallës së festave. Po ne e kishim shtrirë përdhe njërin , dhe ishte gjynah të prisnim dhe tjetër. Çdo t`i bënim dy bredha të mëdhenj? As njëri nga Ne s`mund t`a merrte për në shtëpi. Ku kishte shtëpi që e nxinte?
-Le ta kemi për mot,- thashë unë, -po si s`e pamë më parë?
Teksa e kundronim…një pahi dëbore u ngrit…e na u bë sikur bredhin e shihnim përmes një xhami të veshur me avull,... me shpejtësinë e erës një dre kaloi dhe u zhduk në rrëpirrën që fillonte menjëherë pas bredhit.
-Uaaauuu!!!…
Ngelëm t ë nemitur nga befasia… Përpara syve na kaloi një pamje e rrallë, si ato të kartolinave që na vijnë nga Amerika… I pari foli Xelja :
-E patë o çuna,-ah, kur s`patëm një çifte.do ta kishim festuar Vitin e Ri me mish sorkadheje!
Ndërsa kujtoja këto, kaloja nëpër duar zbukurimet , shpresoja që vëllai me shokët t`a mbaronin atë mission ( se ç`farë s`ndodh në dimër maleve!) e të sillnin atë bredh të bukur për sallën e madhe, si dhe një të vogël për në shtëpi. Kaluan gati nja katër orë pritje, duke dalë herë pas here te dera. E kredhur në përfytyrime, me një kartolinë nga ato të Amerikës në dorë, që paraqisste një shtëpizë fshati , me dritare të ndriçuara, që përcillnin atmosferë paqeje dhe mirësie të brendësisë. Në rrugëzën e mespërmes borës, një karrocë e tërhequr nga një dre…, jashtë në oborr dëgjova zërin e vëllait.
-Hajde, hajde shiko s`e ç`bredh kam sjellë. E kishte ngulur bredhin në dëborë. Rrinte atje, pa pikën e pezmit që i ishte shkurtuar jeta dhe s`do kthehej më, në mes të pyllit ku kish lindur dhe bërë kaq. Madje dukej krenar që po sakrifikohej për festën tonë…Isha kaq e gëzuar.
-Fute brënda- ta zbukurojmë…, apo le të rrijë sonte këtu!
Në çast mu kthye mendja. Dukej mrekullisht nën dritën e hënës dhe , që shndriste si rrallë ndonjëherë dhe yjet që po ndizeshin një nga një.
-Po bredhin e madh?- pyeta vëllain.
-Ja! Shikoje sa i bukur!- dhe më tregoi me dorë ne drejtim të shkollës, - po më ndihmo të heq këto kallçinjtë, se më janë mpirë duart, e do të tregoj më interesanten.
-Pa hë, - dhe u bëra sy e veshë
Maleve në dimër, bukuria dhe rreziku, jane vëllezër Siamëzë. Në harkun e një çasti përfytyrova ndonjë përballje me egërsirë, rrëshkitje në ndonjë hon a ndonjë ortek…
-Ti, e di që bredhin e kishim të piketuar që vjet?.
-Po- thashë.
- Por vuajtëm ca – vazhdoi vëllai, - se mezi çamë dëborën. U ngjitëm nga ana tjetër e shpatit, ku pjerrësia është më e butë. I ramë rreth e qark, për t`a shijuar edhe njëherë atë pamjen e jashtëzakonshme, të një viti më parë. Ishte një mrekulli! Asnjë pemë tjetër pranë tij. Ai vetëm mbi sop, në sfondin e qiellit blu. Si mbreti mbi fron. Nga këndvështrimet e tjera, i bëhej sfond mali I zbardhur, dhe s`e kish atë hijeshi vetmitare. Në majë, si e vendosur me dorë, hëna e madhe, sa një kulaç i lyer me vezë. E tërë lugina përposh e kredhur në borë të artë. Përroi i vogël rridhte heshturazi nën cipën e kristaltë të akullit, dhe shëndriste si fill argjendi. Të mahnitur, s`po na bënin këmbët t`i ngjiteshim rrëpirës së fundit për tek bredhi. Në këto anët tona ngado t`a kthesh kokën, syri veç bukuri të shikon, por atë pamje, rrallë e ndesh. U bëmë, të heshtur si drurët. Vetëm hëna gjallonte. S`kishim të ngopur duke soditur atë pamje magjepsëse…kur ngadalë pranë trungut të bredhit lëvizi një shkurre… dhe befas , ngjitur me të…u çfaq një sorkadhe… qëndroi… sa një mbajte fryme e pulitje e syve tanë… dhe u zhduk, duke ngritur një pah dëbore pas. Si në ëndër!!! Si një vit më parë!!!
-Ua, sa çudi! Sa do doja të shihja një sorkadhe!- pëshpërita e mrekulluar nga imazhet që përftoja prej tregimit të vëllait.
-S`e di sa kohë ndenjëm të mahnitur. Pothuaj harruam përse ishim atje. –Uh, o çuna,ç`ishte kjo!? I pari, nga ajo gjendje haluçinante doli Xelja.
- S`po na bënin duart t`ë prisnim bredhin, të prishnim atë bukuri të heshtur, atë harmoni të përsosur, po s`kishim kohë për të kërkuar tjetër. Atje përbri, një filiz i ri po rritej…
-Ja, shiko sa i bukur!
Atje përtej, ngulur në dëborë ,mbështetur pas murit të shkollës, bredhi, simboli i festës na priste NE, ta mbushnim e t`a zbukuronin me fantazinë e me ëndrrat tona.
***
Atë natë gjumi më zuri duke përfytyruar festën, e duke kujtuar në fëmijërinë e largët kur isha pothuaj foshnjë… zgjuar nga breshëri gazmore çomagesh, shoqëruar me këngë. Një tufë djelmoshash, madje bëheshin dy a tre grupe, si në garë të pashpallur, nguteshin kush e kush të mbërinte i pari. Dëbora dhe i ftohti, bëheshin pjesë e gëzimit dhe trokitjet e çomageve të drunjta, shoqëruar me këngën ’’Mirëmëngjesi Ju o zotërinj, me leje, me leje të këndojmë… zgjonte mëhallën, portë më portë dhe gjithë fshatin …Shpërndanin LAJMIN E MIRË… Por tani kishin ndryshuar kohët. S`kishte as Shën Vasil,që ishte dita e emrit të gjyshit, e përmendja e fjalës së përbotshme, KRISHTLINDJE, përbënte faj, rrezik me pasoja fatale. Tani ishte vetëm një festë, Viti I Ri…
Hapa sytë. Një çast mendova se kish zbardhur dita, por jo… do ishin ngritur babi dhe mamaja! Ishte ende herët. Ndoshta tre e mëngjesit. dhe Ajo dritë vinte nga jashtë. Bardhësia e dëborës depërtonte përmes dritareve dhe mbushte dhomën me një dritë qumështore. Zgjata kokën në dritare. Hënën s`e shihja, por e përfytyroja... si kusi me qumësht ngecur në majat e aheve ,dhe rrëketë e qumështit kishin përmbytur fshatin e gjithçka. Shtëpitë, kredhur në bardhësi nanurisnin ëndrra, nën qiellin e kadifejtë, ormisur me yje. Jo ormisur! Qielli prushëronte! Yjet tingëllonin dhe gjithësia ishte mbështjellë me melodi, që dëgjoheshin me shpirt. Doja të shihja oborrin, mollët dhe bredhin nën këtë dritë si ajkë qumështi, ndaj u zhvendosa tek dritarja tjetër. Përmes perdes së hollë dallova pemët me degët me borë dhe bredhin gjelbërosh. Hëna sa një palare stërpikur me miell mbi ca degë te kapërthyera shkarpash…Po…ç`po shoh.. një siluetë kafshe…si viç i vogël…pa dale…ngrita me nxit cepin e perdes…dora takoi në xham …trak…hëna mbeti pezull… kafshëza rrëqeth…e pashë si fërgëlloi qimja e ndritur. Me degëzat e shkarpave mbi krye, përshkoi oborrin, shpejt sa frymëmbajtja ime dhe u gjend përmatanë avllisë…u zhduk. S`e shihja, por që të mbërinte maleve, duhej të kalonte rrugëve të fshatit, oborreve…si te kartolinat që na vinin nga Amerika
‘’Uaau,sorkadhja” .
Atje te dritarja, e magjepsur, përcolla një natë madhështore. Mëngjesi, në kalendar, shënonte njëzetepesë dhjetor!
Last Edit: 5 years 2 months ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.

Lida Lazaj (Xhamo) 4 years 11 months ago #56

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
Apologji nga jeta e livadhit

*Cikël poetik nga Lida Lazaj (xhamo)
Qershor 2012*


1.Porosi për foshnje të thinjura

T`i mësojmë dëshirat
se ky qiell i pluhurosur, i rrudhosur, me vrima
që vjell orgazma dhe gaz karbonik
ky qiell internetik
ku me një “klik”
porositen zogj ekzotikë
stampuar në të linjta
ishte dikur
hapësirë shpirtrash
e kor cicërmash

T`i bëjmë zemrës së dëshirave
një suazë prej lotëve të barit
përpara se mundin e thneglave
dhe heshtjen e përkorë të livadhit
t`i nderojmë me monumente
përkrah statujave antike

Përpara se mallin për dallëndyshet
ta shuajmë me tinguj akustikë
në muze me eshtra të fosilizuara zogjsh

2.Leksion nga toka e luleshtrydheve

Kruspullosur si kërmilli
lus fijen e barit t`më gjelbërojë pritjen
deri sa Santa Klausi të më sjellë frutin e ëmbël
që m`a premtuan planetët

Mendimi, me sy të madh sa qielli
mbushur me dritë
në udhëtimet përtej jetës dhe vdekjes
m`a deshifron në gjurmën e shndritshme të kërmillit
pendesën e etërve
që ikën kësaj bote buzëshkrumuar
se sytë digjninn vetëtimave
ndërsa këmbët e verbta
I llokoçisnin në lëng luleshtydhesh
në tokën , ku më pas mbollën eshtrat

3.Largësive

Pleksen dyshimet
si cerga merimangash të mëdha
në s`më a(o)fron fjalën magjike
zemrën si mollë të kuqe në tabaka
do shpirtëzohen si shtriga si magjistrica
dhe do ma pinë eliksirin

Në se vonon
do të më shterin
do të më therin
do të vrasin ca nga ca

4.Ndonjëherë shiu

Edhe ndën çadër të hyn imcak
sikur të kërkon thelbin

Një rigë e lagur
si sqep` i lejlekut të përrallës
më lë në duar yje, kristale
pak krifë të bardhë luanësh deti
dhe ikën hareshëm e çakërqef
sikur në polka një i dehur

Pastaj, s`ka autobusë mbushur me ankth
por gondola ku puthen njerëzit
s`ka rrugë-shigjeta busullash pa kah
por valë-valë,
valët e Danubit Blu vallzon qyteti

Shiu ndonjëherë, jo vetëm lag

5.Ne, poetët

Ne, shpresëbukurit
e ndalim një çast nga uji i jetës
mollzën e gishtit e bëjmë pistë vallzimesh
e vallzojmë vals

freskojmë me ujë kujtimesh
thërmola dashurish e trishtimesh
që na çuan te qenia njeri

Unë
T`a gjerb pikëllimin për ëndrat
që deti i bëri zambakë të bardhë shkume
për valët e kaltra

Ti përlotesh
për të mijat shkrum e hi

nderim duart mbi fjalë prej drite
pëllëmbët mbushur si kupa kristali
me shpirtra poetësh e pikëllima yjesh
koktejl dollie për bulëzën e çastit
në mollëzën e gishtit

Ne, shpresëpavdekurit
zgjasim duart drejt njeri-tjetrit dhe…
…rrrokim penat
e shkronjë më shkronjë
i bëjmë pritë detit

6.Ndërthurje

fjalën tënde të artë
e mbaj në duar si diellin
e bluaj si grurin në mokrat e mija
gatuaj bukë të ëmbël për zogjtë e detit
me miell të begatë e ujë trëndafilash

të dërgoj me fllad fjalësh
gjethe të blerta prej kopshtit tim
pakëz nektar për kafen e mëngjesit

Teksa gjerb
e nuhat aromë të mistershme pyjesh
zanë e avullt t`fanitem
dëgjon muzikë yjesh
përkundesh në vals

7.Sy më sy me pikën e vesës

Mbi fijen e barit
vezulluese e hareshme
lëkundet s`këputet
pa frikën e vdekjes

Kalon aty pranë
aroma e trëndafilit
diç i pëshpërit…

syçkën pulit
hargaliset
lëkundet…
…‘’mbahu’’ më tha
u këput
ra

Si rruzull drite do çfaqet
te gjeth` i së nesërmes

Në fillin e jetës
lëkundem
s`këputem
frikem…
…asnjë lajm nga bota e përtej vdekjes

Lida Lazaj Janar 11, 2014

Ç`ma paska ënda sot

Të numuroj me gishtërinj degët e gjethet

Të parin e pagëzoj: “motër”
të dytin: “vëlla”, përmallshëm me përgjërim

Nuk më mjaftojnë gishtat e dorës për bij e bija,
në pëllëmbë më mbin korija

Drurët të gjithë, nipër e mbesa e kushërinj
i mbledh në grusht, i çoj te zemra

Ah, zemra zemra, nuk qenka thjesht një copë muskul
një pyll me emra mbajtka brenda

Gjumi më merr duke gërmuar rrënjët e lisit
pleksur pas shkëmbit. Një shkëmb me gdhena
buzë e mollza e ball` të gdhendur me legjenda

Ç`ma paska ënda, sot, ç`ma paska ënda
ta ledhatoj trungun e degët me mall prej shpirti
Ti puth në buzë një për një gjethet e lisit

(©L.Lazaj) Mëngjes, 11 janar 2014.


lidalazaj.jpg
Last Edit: 3 years 4 months ago by STEFANI.
The administrator has disabled public write access.

Re: Lida Lazaj (Xhamo) 4 years 11 months ago #57

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
1.Shpëtoni qytetin

E dua qytetin
Rrugët e qeta
Kopshtet e gjelbra, pikturuar me hënëza limonjsh

Mëngjeset e zhurmshëm
Sheshet me pluhur
Bulevardin larë me neon

Mbi vargje flatroj
Mbi kullat e qelqta selvitë e drejta
Minaret kambanoret

Te ky qytet
Një ditë jam skllav
Një ditë jam mbret

Një varg poezie, frymë perëndie
Një qen-njeri m`a dhunon

Dëboni qenin
Shpëtoni qytetin
Shpëtomëni mua
Mos bëhem Neron


2.Pas stuhisë

Në pritje, që viset e gërryera
T`i mbushë trishtim i ëmbël i shiut të butë
Planetët të kthejnë mbi luspat e peshkut faqen me dritë
Vështrimin ngul, tek i vetmi yll i shndritshëm
Dhe varkën e lëshoj pa busull në rrjedhën e ditëve

3.Në mungesë të njeriut

Për pak purpur të perëndimtë
Për pak trishtim shiu në sy
Duhet të lësh pak shpirt
Në thonj pinjollësh nga fis i barbarëve
Një përralltar të urtë
Për të trembur vdekjen me një ëndër të re
S`e gjen as mes të ngjashmëve
Që ushqehen si ty me bukë e kripë

Të vjen të shtrihesh mbi bar, ngadalë e butë
Si mbi kurme të qumësht foshnjash
Të puthësh buzët e ujta të tërfilit

Të vjen të jesh lëndinë
Ose të rrosh mbi të si bari


4.Shfletomë

Shihmë në sy
Shihu në qelibarin e lëkurës sime
Të zemrës sime
Gdhend aty emblemën e fisnikërisë
Lexomë si bestseller pa epilog
Shkruar me gërma të perëndishme
Shfletomë si rrezja e diellit gjethin e njomë

Nuk jam kanat , që hapet me frymë prrilli
Por portë parajse në bosht të artë dinjiteti
Shfletomë, zbulo kopshtin e Edenit

Të falem,
Si njeriu Zotit i falet
Se vetëm Ti s`mi kthen në lot kristalet
The administrator has disabled public write access.

Re: Lida Lazaj (Xhamo) 4 years 11 months ago #58

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
5.Gishtërinjt` dixhitalë

Trokasin tastierave
Përtej mjegullave boreale
Kërkojnë zogjt` e drithërimave
Se dinë lëkurëhollët
Që ata zogj cicërojnë në ngjyrat e luleve
Në pusullat e shkruara me dorë

6.Saga e heronjve të spinaqit

Nën hijen e lashtë të qerpikut
Direkë anijesh të mbytura ju shfaqen në horizont

Në kërkiim të brilanteve, që gjyshërit si gjetën
Si etërit dhe bijtë, eksporojnë thellësitë

Në trajtën e spinaqit në avull
Dalin në breg, rikrijojnë strukturën

Thellë e më thellë kërkimi vazhdon
Dhe djepat përkundin të tjetë heronj

7.Në atë vend

Dremisnin ujrat
nën vetulla të menduara urash
unë dhe pemët mbështjellë me heshtje
që isha gjallë më ndërmendte një gjinkallë
befas
mbi tingëllima ujrash u ngritën harqe ylberësh
rrezen e diellit e preu një dallëndyshe
pranë meje dy sy qiellorë , një shpirt prej drite

do vij , do vij patjtër në atë vend ,
që dritë merr prej syrit tënd

8.S`je më i pari

Kurt ë dërgova një letër malli
Shkruar me pika shiu mbi asfalt
Qeshe, më quajte të lajthitur
S`e dije atëher` që dashuria ësht` zemra e botës
Dhe shiu një skllav I bindur

9.Tri gra në disko

Nga orbita e ditëve se si
u gjendën në një planet muzik&dritë
të trija bashkë dhe veç e veç
Nje Penelopë
Një Monalizë
Dhe Mretëresha Elisabet

Thërmohej drita
Nën shputat e tyre
Vdisnin dilema frika
Shkëlqente pista

Si gjuhë flake
Tri shtojzovalle
Në krahët e valsit,rok&rep

Tri gra pa moshë
Një Penelopë
Një Monalizë
Dhe mbretëresha Elizabetë
The administrator has disabled public write access.

Lida Lazaj (Xhamo) 2 years 5 months ago #122

  • STEFANI
  • STEFANI's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 50
  • Thank you received: 1
  • Karma: 0
Lida Lazaj Elegji për Rozin


U hap lajm i hidhur, si njolla mbi brymë
Rozi Theohari harroi të marë frymë
Re e zezë mbi gur, si shami mbi vetull
Çohu motër çohu, shpejt ësht`për të fjetur
Çohu Rozi, Çohu këngë e pambaruar
Si shkon bukurisë ky gjum`i amshuar
Krojet zunë ligje, Vjeshta kokën uli
Korija u mek, palët rreh flamuri
Përmbi oqean një flutur e bardhë
Kurmi n`Amerikë, shpirti vjen në Dardhë
Ngashëren Gjombila, Drini Zi, Vardari
Shqipe mbi flamur Rozi Theohari
I riu me i ri,
I bukuri me i bukur,
I shendoshi me i shendoshe,
behet kur viziton Dardhen.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.267 seconds