E Martë 30 Maj 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Welcome, Guest
Username: Password: Remember me
  • Page:
  • 1

TOPIC: Nje muze atje ne Dardhe

Nje muze atje ne Dardhe 5 years 2 months ago #43

  • BRUKO
  • BRUKO's Avatar
  • OFFLINE
  • Administrator
  • Posts: 92
  • Thank you received: 4
  • Karma: 0
NJË MUZE ATJE NË DARDHË…

“ Josifi( Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën e ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shënjtë të Atdheut me krahërorin e gjakun e tij.”.

Atë Naum Cerja
Gazeta “Drejtësia”, 1920, Boston


Shkruar nga KOLEC TRABOINI



Vite të shkuara, kur Sotir Pani po gatitej të merrte udhën matanë oqeanit, ashtu siç e kishim marrë një shekull më parë gjyshi Josif e më pas babai i Sotirit, Vasil Josif Pani, bashkfshatarët e tij nga Dardha, shokët e miqtë u mblodhën ta përcillnin dhe dikush i lëshoi një zë: “Pse po na lë e po ikën, o Sotir Pani”. E Sotiri me të qeshur por edhe i menduar u tha, “Po iki se kam mall, dua të shoh varrin e babait që për herë të fundit e kam parë kur isha 4 vjeç.”
E shokët e miqtë e kuptuan se çfarë ziente në shpirtin e dardharit të tyre Sotir Pani. Nuk ishte një ikje si të gjitha ikjet e tjera pas të cilave marrosej njerëzia që e kish përvëluar skamja. Ish tjetër, shumë më e fuqishme se sa dëshira për një jetë më të mirë. Ishte pjesa e jetës së tij e munguar që prej viteve të hershme të fëmijërisë.

U gjend në Boston me 25 prill 1995. La pranverë e lule mimoze që i jepnin aromë krejt Tiranës e gjeti një pranverë ku bimësia ende druhej e veç tulipanët kishin guxuar të nxirrnin fletët e gonxhet përmes dheut ende të akullt të Nju Inglandit..
Si gjithë emigrantet pati veshtirësit e fillimit, por erdhi një ditë që edhe ai u sistemua. Më të lehtë mërgimin, disi në moshe të madhe, ja bënte prania e djemëve e nipërve e mbesave që erdhën në Amerikë bashkë me të e me të shoqen Margarita, mësuese në pension. .
E para gjë që duhej të bënte ishte të shkonte tek varri i babait të vet Vasil Pani, kryetar e sponsor i Federatës “Vatra” për shumë vite e i vdekur ende i ri larg mëmëdheut.
Ishte një ditë vere dhe Bostoni shpaloste kudo bukurinë e vet.
Mblodhi fëmijët, me nipër e mbesa e bashkë me gruan, me tufa lulesh në dorë, shkuan në qytetin Watertown. Pasi Andrea pyeti, i treguan një vend plot gjelbërim me drurë shekullorë e me lule shumëngjyre. Para se të bëhej varrezë me emrin Mount Auburn, ky vend kishte qënë një kopësht botanik.
U mblodhën të gjithë pjestarët e familjes Pani rreth një pllake guri ku shkruhej një emër i dashur. Një emër i gdhëndur në gur ishte gjithçka që kishte mbetur nga njeriu prej të cilit e kishin prejardhjen e për të cilin përkuleshin me veneracion.
Për Sotir Panin ishte fort i dhëmbshëm ky çast. Ai sillte jo veç mallin e vet e të familjes, por, ah, edhe atë të shamizezës e zëmërbardhës nënë Evridhiqi, qe e ngrysi jetën e vejë me dy fëmijë të vegjël, Soton dhe motrën më të vogël Dhoksia.
Sotir Pani nuk foli, sytë i mbajti të ashpër për të mos lënë të rrjedhin lotë para fëmijëve, por veç shpirtit nuk kish ç’ti bënte. Shpirti i lotoi për babanë, dashuria e të cilit i mungoi tërë jetën. E tha, me mend e jo me gojë, dy fjalë që në ishte e mundur t’a dëgjonte i vdekuri i varrosur në vitin 1947 “ Baba, ti ike e na lë. Nuk deshe të na lije jetim por vdekja të mori përdhuni…Por unë them se vdekja jote u mund, se ja, më le djalë të vetëm, sot të solla para teje dy djemë, e njëri nga ata mban emrin tënd Vasil, e kudo që shkon në Boston e thërrasin Vasil Pani e mua më duket sikur gjithësesi ti ende gjallë je.”
Pas kësaj dite, që nuk e harron kurrë, Sotir Pani e ndjeu veten më të qetë. Nisi jetën e përditëshme të emigrantit në qytetin e Bostonit. Ishte kurioz të shonte e të shihte nëse qëndronte akoma në këmbë ndërtesa ku kishte qënë restoranti i babait të vet, ku mblidheshin shqiptarët me Nolin e Konicën sepse Vasil Pani të dy miq për kokë i kishte. Bashkë me Andrean, të birin vajti në 217 Kembrixh Street. Atje kishte vetëm një parking dhe përballë ndertesa e gjykatës që i kishte rezistuar kohës. Restorantit pikërishte për këtë afërsi i kishin vënë emrin Court House Lunch. Po atje tashmë as restorant e as ndertesë nuk kish. I kishte rënë një zjarr e qe djegur vite të shkuara. Shumë kujtime e shumë ngjarje qenë përvëluar bashkë me atë zjarr fatal. Por gjithësesi diçka duhej të kishte mbetur ende pa u zhdukur. Më parë, kur ishte në Shqipëri, kishte kërkur nëpër koleksionet e vjetra të Bibliotekës Kombëtare. Menjëherë i shkoi mendja të shihte se mos në Bibliotekën e madhe të Bostonit ruheshin gazetat shqipe të kohëve të shkuara. Mrekullisht çdo gjë ishte ruajtur me kujdes. Gjeti gazetën “Kombi”, “Dielli” “Republika” e “Liria”

Duke skeduar e ngacmoi një ide. Sa mirë do të ishte që këtu në Boston, në këtë qytet ku lindi Federata “Vatra” të ngrihej një muze, ku gjeneratat e reja të shqiptarëve në Amerikë, nepërmjet fotografive e dokumentave të njiheshin me historinë e emigracionit shqiptar.
Por që të bëhej kjo kishte shumë punë. Ishte si të thuash një ëndërr. Por kur një ëndërr e sheh më shumë se një herë ajo është diçka më shumë se një ëndërr; është një pasion që të shtyn të meditosh, që jo rallë të pushton e të bën të jetosh çdo ditë e çdo natë me dëshirën për të realizuar atë çfarë në përfyrime të shfaqet si një mirazh që herë herë tretet si një pikë vese në diell.

* * *

Veç kishte ende një detyrim ndaj babait që nuk priste. Në vitin 1997, mbushej gjysëm shekulli qëkur Vasil Pani, krejt papritur, në orët e para të mengjezit, ndersa hynte në restorant, ra pik i vdekur. I kishte pushuar zemra.
Pasi Sotir Pani bisedoi me motrën Dhoksia, vendosën që me shpenzime e veta familjare, pikërisht me 11 dhjetor, në 50 vjetorin e vdekjes së babait, Vasil Josif Panit, të shtronin një drekë përkujtimore.
Ishte një ditë që nuk do ta harrojë kurrë. U bashkuan njerëzit në perkujtim të babait e shkuan të vendosin lule në varrin e tij. Më pas në “Pier Four”, restorantin e bashkatdhetarit Anthony Athanas u shtrua dreka përkujtimore ku u gjëndën pjestarë të familjes, të fisit, bashkfshatarë nga Dardha e miq të familjes Pani.
Në një kënd të sallës Sotiri kish vendosur dy stenda me fotografi ku tregoheshin aspekte nga jeta dhe veprimtaria atdhetare e Vasil e Josif Panit.
Pasi i përshendeti të pranishmit në emër të familjes, Sotiri i dha fjalën atyre që e kishin njohur Vasil Panin. Një ndër ata ishte Xhorxh Racka, dardhar, që e kishte njohur nga afër e kishte punuar në restorantin Court House Lunch të Vasil Panit. Foli dhe Anthony Athanas. Gloria Hill dhe Dorothi Ilia sollën kujtimet e tyre të asaj kohe.
Ishte vetëm 13 vjeç kur dha kursimet e veta për hapjen e shkollës Normale të Elbasanit, veprim që e përshëndeti gazeta “Dielli”. Në një fotografi të vitit 1914 duket Vasili në moshën 19 vjeç pjestar i çetës së Themistokli Gërmënjit kundër andartëve grekë. Disa vjet më vonë Atë Naum Cerja shkruante në gazetën “Drejtësia” Boston: “ Josifi( Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën e ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shejtë të Atdheut me krahërorin e gjakun e tij.”.
Në vitin 1925 Vasil Pani u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, ndërsa nga viti 1929 në kuvendin e 18-të u zgjodh kryetar i Federatës, detyrë që e kreu për 12 vjet.
Në ato vite restoranti i tij ishte kthyer në një qëndër ku mblidheshin shqiptarët.
Ai ishte mik me Faik Konicën e Fan Nolin. Në fotografitë e kohës Vasil Pani ndodhet në krah të Faik Konicës, ndërsa në fundin e një fotografie të Faikut, shkruhet ky autograf: “Mikut të dashur z.Vasil Pani. Për kujtim Faik Konitza. Në Vashington me 16 Maj 1937”.
Kjo fotografi qëndron pranë një telegrami ngushëllimi që Vasil Pani kish marrë me 22 maj 1934 nga Faik Konica, kur u hap lajmi i hidhur i vdekjes së Josif Pani në Dardhë të Korçës. “Mësova me hidhërim të madh vdekjen e atit tuaj të dashur Josif Pani. “Ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të kthjellta, një bashkëpunëtor i imi i vjetër dhe një mik i patundur”.
Vlerësimi i lartë i atdhetarit të madh Faik Konica ishte vertetë i meritueshëm. Josif Pani ka qënë ndër mërgimtarët e parë dhe ndër të parët veprimtarë e themelues të shoqërive shqiptare në mërgim. Kryetar i shoqatës “Besa-Besë” që në vitin 1906. Bashkë me Sotir Pecin kanë qënë krijuesit e parë të shtypit shqiptar në Amerikë. Ka shkruar në gazetën “Kombi” e me pas ka krijuar gazetat e veta si botues e editor; “Sazani” e “Drejtesia”, si dhe revistën “Adriatiku dhe lufta europiane”. Si gazetar e politikan Josif Pani, njihet si propoganduesi i parë i ideve të social demokracisë ndër shqiptarë dhe përhapës i zjarrtë i mendimit se perparimi i kombit vjen nga arsimimi i popullit.
At Fan Noli në vitin 1948 do të shprehej: “ Vasil Pani ka qënë tërë jetën nga të parët në fushën patriotike. Patriotizmin, Vasili e trashëgoj nga i ati, i ndjeri Josif Pani. Këtë trashegim Vasili e vazhdoi deri sa dha shpirt.”.
Me 11 dhjetor 1998, me rastin e 51 vjetorit të vdekjes së Vasil Josif Panit, nga Federata “Vatra”, me qëndër në Nju York, erdhën përfaqesues të saj dhe bashkë me pjestarë të familjes Pani bënë homazhe e vendosen lule në varrin e Vasil Panit në Mount Auburn Cemeter, Watertown. Kryesia e “Vatrës” shtroi me këtë rast një drekë përkujtimore në një restorant në Copley Square të qytetit të Bostonit.

* * *
Pasi u ndje i qetë, se gjithësesi e kishte kryer detyrën si bir, Sotir Panit nisi ta shqetësonte një mendim disi tundues. Mirë ne që jemi të një brezi afër traditës, që ruan ende doket e zakonet e mira të popullit, që respekton me admirim kujtimin e parardhësve, por më tej, nëse këto vlera historike që ende ekzistojnë e që më së shumti i zë pluhuri i harresës, pra më pas çdo të bëhët, brezat e tjerë do ta ruajnë apo harrojnë atë çfarë prindët tanë me mund, djersë madje edhe me gjak e krijuan.
Se ja vlerat dokumentare edhe gjënden, ca në biblioteka, ca në qilarët e kishave orthodokse të Bostonit, ca në sirtaret e shtëpive, por sa ato do ti përballojnë jetës së vrullëshme e plot tension që ka njeriu, aq më tepër mërgimtari. E një komunitet që nuk ka me se të dëshmojë tek brezat e ardhshëm krenarinë e të qënurit shqiptar, padyshim që e ka të vështirë të mbijetojë.
Sotir Pani shkonte këto vite çdo të dielë në kishe, por më shumë si atdhetar se sa orthodoks i devotshem. Se për Sotir Panin mbi të gjitha është atdheu, pastaj vinë të tjerat.
Padyshim që më së shumti ai ndodhej në tempullin e shqiptarizmës të shqiptarëve të Amerikës, në Katedralen e Shën Gjergjit në South Boston, afrohej pranë altarit ku i bëhej se ndjente frymën e Fan Nolit e merrte bekimin e tij. Këtë ndjeu edhe kur në emër të shoqërisë dardhare të ripërtrirë “Mbleta”, prej këtij altari foli për figurën e atdhetarit të madh Sotir Peci, me rastin e 70 vjetorit të vdekjes së tij.
Kemi aq shumë histori nëpër duar, mendonte Sotir Pani. Kemi kaq shumë miell e nuk bëjmë dot një bukë.
Ka aq shumë bisnesmenë shqiptarë, aq shumë breza të shkolluar, aq shumë njerëz të ditur, dale prej universiteteve amerikane e përshtatur mjaft mirë në jetën e këtij vendi, si vallë nuk i ngacmon ajo ide që mua më jep mundime. Për më tej edhe kur u thua, të përkrahin, të thonë ide e mirë, e më pas ikin secili në punë të vet duke harruar për çfarë u fol. Po e tërë biseda që Sotir Pani bën me miqtë e të afërmit është thjeshtë një muze. Pse mos të bëjmë një muze të emigracionit shqiptar këtu në Boston. Se ja kemi tre kisha pranë e pranë. Shtëpitë e Zotit janë, por nuk besoj se hyjmë në gjynah po të themi që njëra prej tyre do ti sherbente më shumë komunitetit shqiptar jo vetëm të Bostonit por të tërë Amerikës nëse kthehej në një Muze të shqiptarëve. Të shqiptarëve mërgimtarë që nën udhëheqsinë e “Vatrës”, në rrethana të vështira për kombit morën atributet e mbajtjes në këmbë të shtetit shqiptar dhe qeverisjen e tij, duke nxjerrë madje edhe një kryeministër si Fan Noli. Kjo është një histori e madhe. Kjo është një histori që nuk duhet harruar. Kjo është një histori që ne duhet ta vemë në peidestal këtu në Boston, me një shtëpi muze.
U lodh Sotir Pani, tek fliste për pasionin që nuk ka pse të ishte vetëm pasion i tij. Të gjithë e dëgjonin. Kurrkush nuk thoshte jo. Por edhe kurrkush nuk e vinte ujin në zjarr për të bërë një punë kaq të dobishme për të ardhmen.
E kështu kjo punë ngeci. Edhe pse ndonjë e mbarti këtë nisiative në shtyp, ajo prap se prap mbeti vetëm një ide tunduese në shpirtin e Sotir Panit.
Herë herë i dukej vetja se u bë i merzitshëm me këtë këmbëngulje, por i fanitej gjyshi që nuk e kishte parë kurrë, e prej frymës qiellore i thoshte “nëse je im nip, mos u tërhiq!”. Por edhe kujtimi i babait e shtynte në mendimin se ishte nga ai trung e fis që nuk njohin lodhje por as dhe kthim pas.
E pa që në Boston ishte e vështirë të bënte diçka për muzeun. Atëherë i tha vetes, atë çfarë të tjerët nuk e bëjnë, do ta bëj vetë. Një shtëpi e kam në Dardhë. Do ta kthej muze shtëpinë time e gjithë këto materiale që kam mbledhur nuk i lë t’mi mbulojë pluhuri në sirtaret e shtëpise, as në Dardhë por as dhe këtu në Boston.

* * *

Ndër fotografitë e ruajtura me kujdes nëpër vite prej hallës Fana Raci, dy prej tyre ishin më impresionueset për Sotir Panin. Në njërën pamje ishte gjyshi i tij Josif Pani me Faik Konicën në vitin 1910, i pari ishte kryetar i shoqërisë “Besa-Besë” ndërsa i dyti Editor i gazetës “Dielli”.
Në fotografinë tjetër të vitit 1920 kishin dalë pranë e pranë baba e bir, Josif e Vasil Pani në Boston. Por kishte edhe materiale të tjera të ruajtura në sëndyqin e vjetër të familjes. Veç gazetës “Dielli” ishin ruajtur dhe revistat e gjyshit Josif, i cili tërë jetën e kaloi me letra, dhe e vetmja pasuri që u la trashëgimtarëve qenë shkrimet dhe emri i tij si atdhetar i kulluar. Per këtë, kur Hil Mosi, aso kohe prefekt i Korçës, vinte në Dardhë, të parin njeri që takonte ishte Josif Pani, kthyer nga mërgimi në vitin1922.
Madje pushimet verore Hil Mosi i bënte familjarisht në shtëpinë e Josifit në Dardhë. Hil Mosi i pat ndihmuar të bëhej rruga automobilistike Korçë –Dardhë. Sotir Pani ruan dy fotografi të asaj kohe; njëra tregon drekën e festës, ku Hil Mosi ndodhej pranë Josif Panit, e një fotografi tjetër e Hil Mosit në zyrë, kur ishte ëmëruar ministër i arsimit, me shënimin “Mikut tim z. Josif Pani, për kujtim.Hilë Mosi, Tiranë 9 qershor 1931”.
Shumë të çmuara ishin shënimet e gjyshit Josif kur përgatiste botimin e tij “Adriatiku e Lufa Europiane”.
“Adriatiku dhe Lufta Europiane” e Josif Panit, për shtypshkrimin e të cilit ndihmuan rreth 400 mërgimtarë shqiptarë emrat e të cilëve shënohen me mirënjohje në këtë botim.
Materialet e mbledhura, Sotir Pani i fotokopjoi me kujdes dhe me to hartoi një dorëshkrim të cilit i vuri titullin “At e bir për mëmëdhenë”. Këtë ja kishte sugjeruar në vitin 1965, në fshatin Dardhë, Prof. Skender Luarasi. Në një dorëshkrim që shkrimtari i njohur aso kohe i dergoi Sotir Panit, kujtonte me nderim Vasil Panin, i cili i kishte dërguar një letër e para për Skënder Luarasin që ndodhej në kampin e përqëndrimit në Francë në vitet 1939-1943.
“Edhe pse nuk e njoha personalisht Vasilin,- shkruante S. Luarasi – mua Vasil Josif Pani më ka mbetur në kujtesë si shëmbëll i qytetarit shpirtmadh që i jep dorën shokut në nevojë”.

* * *

Kur mblodhi të gjitha materialet që i duheshin për të realizuar dëshirën e tij për një muze në fshatin Dardhë, Sotir Panit ju ngulën sytë në një fotografi të vjetër, ku mergimtarë e pjestarë të Federatës “Vatra” kishin dalë në një bulevard në Boston të përcillnin Josif Panin që kthehej përgjithmonë në Shqipëri në vitin 1922, pas 18 vjetëve veprimtari atdhetare në Amerikë ku kishte bërë emër e gëzonte respektin e mbarë komunitetit shqiptar.
I paketoi me kujdes fotografitë e shumta, që të mos i dëmtoheshin gjatë udhëtimit. Mori me vehte dhe flamurin që kishte qëndruar 75 vjet në shtëpinë e Panëve në Dardhë. Atë flamur e kishte marrë dikur me vete, kur u kthye në atdhe, gjyshi Josif dhe e ngrinte në Dardhë çdo 28 Nëntor deri ditën që vdiq. I mbeti stafetë ky flamur Sotir Panit. Me të erdhi në Amerikë në 1995, e sa herë kthehet në atdhe nuk harron ta marrë me vehte e ta shpalosë në ajrin e freskët e jetdhënës të Dardhës.
Po ngritja e muzeut nuk ishte një punë që mund të bëhej vetëm, ndaj i erdhën në ndihmë pjestarët e familjes. Bashkë me të shoqen, mësuesen Margaritë, të birin Andrean me nuse Saida mori sërisht rrugën për Shqipëri në maj të vitit 2006. Ndaluan vetëm dy ditë në Tiranë dhe të tretën shkelen pragun e shtëpisë së Panajve në Dardhë. Ishte një stinë e bukur, plot lule. Një stinë që të ndizte dëshira e të frymëzonte.



Shtëpija është dy katëshe. Në katin e poshtëm është dhoma e ndenjës dhe e gatimit. Në katin sipër është një dhomë e një sallon i madh, të cilin vendosi ta ktheje në muze sepse ishte vëndi më i hapur e më i përshtatshëm i shtëpisë. Ka plot dritare prej ku gjatë gjithë ditës hyn dritë e plotë.
Pasi i vendosën me kujdes fotografitë e materialet dokumentare në stendat e përgatitura, Sotir Pani dhe pjestarët e tij të familjes hapën dyert e shtëpisë, njoftuan bashkfshatarët e pushuesit e shumtë që vizitojnë Dardhën gjatë stinës së verës dhe organizuan një inaugurim që papritur u kthye në një ngjarje për fshatin turistik.
Kjo ngjarje, sado e thjeshtë në dukje, nuk mbeti jashtë interesit të mediave lokale e kombëtare. U gjendën në Dardhë ekipi i televizionit të Korçës dhe televizionit me qëndër në Tiranë “Koha”, të cilët përgatiten emisione të veçanta. U intervistuan Sotir Pani, i biri Andrea me të shoqen e tij Saida, e cila megjithese e huaj, bijë marokene, foli me një shqipe të pastër me admirim për Dardhën e banorët e saj.








Ata që e përgëzuan ishin të shumtë e Sotiri ka dëshirë ti përmendë të gjithë, gjë që është e pamundur në një shkrim, por veç nuk mund të rrijë pa kujtuar me mirënjohje; Teodor Laçon, dardhar, ambasador i Shqipërisë në Moskë, shkrimtarin Kristaq Balli, Ilmi Bejkon me të shoqen Valtrant, ardhur për pushime nga Gjermania, Niko Ballin kryetar i shoqërisë “Shpresa” dega Korçë, Agim Çilin, drejtor stacionit të Zoteknisë në Korçë, Xhustina Pojanin, Jorgo Cacën, Manol Lenën, Tomi Pikulin e të tjerë.
Shkrimtari Teodor Laço në përshtypjet e tij ndër të tjera shenoi:
“Ngritja e një dhome muze në shtëpinë e tij nuk i sherben vetëm Dardhës, por gjithë vendit sepse figura atdhetarësh e gazetarësh si Josif e Vasil Pani i përkasin historisë më të ndritëshme të gjysmës së parë të shekullit XX, i përkasin asaj kohe që kish më shumë nevojë se për çdo gjë, për idealista e martirë të çeshtjes kombëtare.”

* * *

…Nganjëherë, kur kalojne vitet, jeta të duket si një imazh në celuloid. Falë memories njerëzore, cdo gjë e bukur dhe e mirë mbetet. Në atë memorie është regjistruar fëmijëria, rinia, jeta punët e pasionet, vendet ku je lindur e ku je rritur e ku jetojnë shumë njerëz, prej të cilëve e për të cilët ruan kujtime të bukura që nuk mund të harrohen.
Se ja, Sotir Pani jeton sot në qytetin me emër të madh në Amerikë e në botë, Boston, me të shoqen Margarita, me djemtë Vasili e Andrea që kanë krijuar familje, me nipër e mbesa, më në perëndim, në qytetin e Usterit jeton e motra Dhoksia Tollko, kaq shumë njerëz pinjollë e familjarë të Panajve të Dardhës së Korçës, mjaft prej tyre me shkollë të lartë e në shoqëri të nderuar, sa do të krenoheshin edhe gjyshi Josif edhe babai Vasil, por veç larg prej Shqipërisë, larg prej Dardhës, larg prej trojeve të parëve, e meraku si baba e si gjysh e shtyn të mendojë se herë pas herë duhet marrë udha për Atdhe. E këto udhëtime duhet ti ndërmarrë jo vetëm për vete nga tundimet e shpirtit si mërgimtar, por edhe për të tjerë, madje të marrë me vehte edhe ndonjë nip a mbesë që nuk e dinë çfarë është Dardha, t’a njohin jo vetëm Dardhën por ta njohin e duan mbarë Shqipërinë.
Ndodh ta shohin shpesh miqtë e të afërmit Sotir Panin të marrë rrugë nga Bostoni për në Atdhe, e t’i thonë “ Po rrugë e gjatë, o Soto, si nuk u lodhe, po je dhe i moshuar tashmë, o njeri…“!
Sotirit nuk i mungon një buzëqeshje dashamirëse dardhare me fjalët që i burojnë nga mënçuaria e moshës: “Nuk lodhet njeriu duke rëndur pas dashurive”! E pastaj shton “ Si të mos vete në Dardhë? Si të lodhëm kur Dardha është jeta ime. Atje kam varrin e gjyshit Josif Pani. E jo vetëm të gjyshit…”.

Këndej babanë e andej gjyshin, dy dhèra që dashuria njerëzore i bashkon. Ka të drejtë Sotir Pani.Ky është fati ynë si emigrantë. Nuk duhen shkëputur lidhjet ndryshe humbëm e u tretëm në këtë dhè të huaj që tashmë është bërë dheu ynë i dytë, por veç, si mërgimtarë e si shqiptarë, na trokiti fati të kemi dy Atdhe, ndaj sa të kemi frymë nuk duhet të lodhemi duke rendur pas dashurive, këndej e andej Atllantikut, ne shqiptarët…

Boston, nëntor 2006
www.traboini.com
Last Edit: 4 years 9 months ago by BRUKO.
The administrator has disabled public write access.
  • Page:
  • 1
Time to create page: 0.165 seconds