E Enjëte 19 Jan 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Shtyp

Androniqi Vangjel Zengo - Ne 100 vjetorin e lindjes.

Shkruar nga Adriana Stefani on 11 Maj 2013. Posted in Arshiva

ANDRONIQI VANGJEL ZENGO

PIKTORJA E PARE SHQIPTARE

Lindi më 26 maj 1913 në qytetin e Korçës ku babai i saj piktori Vangjel Zengo, ishte vendosur para disa vitesh i ardhur nga fshati Dardhë. Mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme në Korçë. Mësimet e para për pikturë i mori nga i ati piktor i njohur kishëtar. Nga fshati Dardhë njihen 11 piktorë pjesa më e madhe nga familja Zengo. Në moshë fare të re në vitet 1925-29 kur ishte vetëm 15 vjeçare ajo ka punuar si ndihmëse e të atit, ka kryer disa punime të pavarura në pikturimin e kishave të Shën Mërisë, Shën Thanasit në Korçë dhe atë të Shën Kollit në Hoçisht, më 1930. Në fushën e afreskut ka punuar në 5 kisha ku vepra e saj e fundit është pikturimi i kishës së Shën Thanasit në Dardhë, fshati i origjinës së saj, kryer në vit in 1993 kur piktorja ishte në moshë 80 vjeçare.

Në vitin 1930 i ati duke thyr traditën dhe mendimet e prapambetura e dërgon vajzën për studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë ku ajo studjon në degën e pikturës në studjon e udhëhequr nga piktori i njohur grek Umberto Agiros. Mbas përfundimit të studimeve më 1935 punon si mësuese vizatimi në shkollën qytetse të Korçës e më vonë në Tiranë (mbas martesës me këngëtarin e njohur lirik Kristaq Antoniu). Në vitin 1937 dy vjet mbas përfundimit të studimeve, çel ekspozitën e saj të parë, e cila është datë historike për pikturën shqiptare në përgjithesi, sepse autorja e veprave të paraqitura në të është për hërë të parë një piktore shqiptare.

Në ketë ekspozitë ajo paraqiste 65 punime të kryera në gjininë e portretit dhe peisazhit.

Në vitin 1938 vetëm një vit pas ekspozitës së parë çel po në Tiranë ekspozitën e saj të dytë ku paraqiten disa prej punimeve të saj më të mira në gjininë e peisazhit, si “Kështjella e Petrelës”, “Pazari i Krujës” etj. Më 1939 merr pjesë në ekspozitën e organizuar në SHBA (New York) me 15 punime të saj me tematikë patriotike. Më 1940 merr pjesë në ekspozitën e organizuar në Bari të Italisë së bashku me Vangjush Mion, Zef Kolumbin etj. Puna e saj në fushën e pikturës vazhdon edhe më vonë në fushën e portretit e peizazhit si “Plaku me thinja”, “Plaku me mjekër”, “Portret gruaje”, dallohet për realizëm dhe psikollogji shprehëse. Në fushën e peizazhit mund të përmendim “Peisazh nga Korça”, “Pamje nga Drenova”, “Nga fshati” etj. të cilat dëshmojnë për nivelin artistik të realizimit nga autorja e tyre.

Ka marrë pjesë në ekspozitat e organizuara në Tiranë më 1942, 1945, 1963 (bashkë me motrën Sofinë).

Në Galerinë e Arteve në Tiranë ndodhe 57 vepra të piktores së parë shqiptare Androniqi Zengo – Antoniu.



Me piktoren e shquar Androniqi Zengo - Antoniu - 1998

Autori: Donika dhe Zenel Anxhaku

Po nis, ah, gjirin të godas

Dhe hap, ah, gjirin në një çast

Dhe i ngrih, ah, zoqtë e vdes në gaz....

Lasgush Paradeci

.... Ajo është në një kënd të dhomës si një Ikonë e Madhe e Artit. Është rreth 85 vjeçe dhe siç duket i përket shekullit dhe do të jetë shekullore. Malet përgjithësisht janë me mjergull e me dëborë ndërsa qëndrimi i kthjellët i kësaj zonje të nderuar flokëbardhë kapërxen vetëtimthi vitet dhe dekadat,depërton ngjarjet dhe portretet, peizazhet e një jete në kërkim të artit të madh.

-Mirseardhët - na thotë ajo dhe ne na duket sikur kapërxejmë pragun e një epoke tjetër ku artisti jeton nëpërmjet një vetësakrifikimi krijues, ashtu sikurse Zogu i Nositi, i skalitur aq bukur në vargjet e Lasgushit.

Po, Androniqi Zengo-Antoniu është një zog Nosit i lindur në Dardhë të Korçës më 26 maj 1913 në shtëpinë e fotografit dhe ikonografit patriot Vangjel Zengo.

-A ke qënë ndonjëherë në Dardhë ? – na pyet Androniqi. Që të kuptosh pikturat e mija duhet të njohësh Dardhën e Korçës, atë parajsë tokësore ku të duket se në çdo kthesë apo pas çdo druri në pyll do të dalë një kryeëngjëll Gavril apo Mikail. Është me të vërtetë një parajsë.

Babaj im ishte ikonograf dhe prej tij mora mësimet e para. Ikonografia e mëson shumë piktorin e pejzazhit dhe të portretit. Më vonë në jetën time do të punonja në disa kisha si ato të Shërmërisë më 1928-1929, kishën e Shën Kollit në Hoçisht më 1930, të Shën Thanasit më 1932, të Shën Triadhës më 1943 dhe më von kishat e Dharës dhe të Polenës.

...Pikërisht në atelien e të jatit Androniqi mori mësimet e para, i jati shpesh mburej me të drejtë:”Kam shtatë çupa si shtatë çifligje” dhe Androniqin e konsideronte si shok të vërtetë.

Mësimet e shkollës së mesme do t’i kryente në Korçë dhe pastaj Konservatorin në Athinë.

Autoportreti i parë i Androniqi Zengos është ai i vitit 1935. Një blu e thellë, një pikturim disi impresionist dhe kubist dhe një botë shpirtërore plot energji si një vullkan që presin të shpërthejë. Janë energjitë e një arti madhor. Kjo vajzë 22 vjeçare atë vit do të hapte një ekspozitë vetjake.

Kredon e saj artistike Androniqi e çfaqi me 6 prill të vitit 1935 në një shkrim të botuar në revistën korçare “Rilindja”. – Na duhet një art realist ku të mos mungojë fantastikja dhe përrallorja të cilat janë pjesë të jetës - këmbëngul ajo dhe këto ide do t’i paraqesë edhe në autoportretin e saj, në portretin e babajt, në portretin e plakës, të djaloshit gjysmë nudo, të fëmijës dhe nëpër pejsazhet e mrekullueshme të Drenovës, Pogradecit, etj.

Puna njëkohjësisht si ikonografenëpër kishat dhe krijimi i pejzazheve dhe portreteve jetësore do të ndërthureshin me njëra tjetrën.

Në galerinë e arteve figurative në Tiranë ka rreth 55 punime të Androniqi Zengos. Punët e tjera janë në dhjetëra kisha. Këto punë ndërthuren dhe konvergjojnë çuditërisht me njëra tjetrën.

-Shpesh herë portretet që pozonin për mua shndroheshin në ëngjëj nëpër kishat - thotë piktorja.


Më 1940 në një ekspozitë të arteve figurative takohet me aktorin dhe këngëtorin e shquar Kristaq Antoniu. Lindi një dashuri e sinqertë. Antoniu kishte ardhur nga Rumania ku kishte spikatur si aktor i talentuar në një sërë filmash artistikë.

Kur u ndanë për herë të parë ai i pëshpëriti piktores:  Dua të mar mall vëndi…..

“Dhe unë i shtrëngova dorën” do kujtonte më vonë piktorja e shquar. Dasma u bë më 1941. Tefta Tashko dhe Marie Kraja erdhën që t’a nisnin nuse. Por ajo donte të dilte si një nuse dardhare....

Kjo martesë artistësh do të lindëte artistë, vajzat dhe një djalë do t’i kushtoheshin me një pasion të veçantë muzikës në veçanti dhe artit në përgjithësi. Një vizitor i huaj në vitet pesëdhjet do t’a quante familjen Antoniu: “ Një familje e shenjtë më plot arte të bukura”.....

... Androniqi Zengo Antoniu rri e qetë aty në kënd të dhomës dhe kjo ikonë arti fjalët i ka sa tokësora aq edhe qiellore.

-Po “Autoportretin” e dytë kur e keni realizuar? – e pyesim.

-Në pesëdhjet vjetorin e ditlindjes, na përgjigjet ajo.

Kemi përpara autoportretin e dytë. Një vepër e përsosur. Një grua e talentuar, autoritare, plot energji dhe në një moshë të respektuar. Që nga autoriteti i parë tek ky i dyti – janë plot vepra ku mbiziotëron simbioza midis pasionit dhe shënjtërimit.

-Po “Autoportreti i tretë”?

Ajo shikon përtej dritares, andej nga zbardh një re e bardhë flurore a thua autoportreti i saj i tretë do të jetë diku në qiell.... Në fund të vitit 1992 nga fshati i saj Dardhë erdhën dhe i thanë se duheshin bërë dhjetë ikona për kishën e fshatit. A do të pranonte? Ishte një provë e madhe, një sfidë kundër pleqërisë dhe heshtjes. Një natë të tërë qëndroi para peneleve sikur po bisedonte me ta në heshtje.

Të nesërmen pranoi. Dhe punoi për muaj e muaj të tërë për ato dhjetë ikona të kishës së fshatit. Ka një fotografi ku ajo ka dalë midis atyre dhjetë ikonave, mes Krishtit, Shën Mërisë, Shën Gavrilit, Shën Mikailit si një ëngjëll mes ëngjëjve. Dhe ndoshta këto dhjetë ikona janë autoportreti i tretë i Androniqi Zengos – Antoniut.

Androniqi ledhaton panelat, a thua se ledhaton ngjyrat e kaltërsisë. Kjo grua shekullore tanimë i përket më shumëqiellit.

Sa do të deshnja të kapnja përsëri penelin – na thotë ajo – Keni parë Zogun e Nositit?

Me zjarr ju flas, me zjarr

Që tu japë shpresë dhe t’ju marrë

Sillen filxhanët e kafesë dhe vështrimi bie përsëri mbi tokën. Kjo grua është një Akademi Artesh, një meshë solemne e jetës, një nder për një komb të qytetëruar.

Ja, pikërisht ato duar që i dridhen nën vegjën e filxhanit të kafesë kanë shënë dhjetra perla të artit tonë kombëtar, portrete dhe pejzazhe, me dhjetëra ikona të pavdekëshme nëpër kishat.

Dhe kur këmbanat kumbojnë kreshmëve si këngë, kurmi i kthjelltë i Androniqi Zengos - Antoniut, krijon kreaturën e një ëngjëlli në qiell.

Ja, është aty në një qoshe të dhomës, e thjeshtëm dhe e çuditëshme, kjo ikonë e madhe e Artit.....

Ref: Dardha: Nr. 504 fq. 1937-1939

 Materiali është marrë nga “Dardha dhe Njerëzit e saj”,  Libri IV  me autor Vangjo Ilo. U pergatit per Dardha.org nga Adriana Stefani Kuruni ne Maj 2013.