E Shtunë 21 Jan 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Shtyp

Kujtime per familjen Skende

Shkruar nga Adriana Stefani on 08 Tetor 2013. Posted in Arshiva

THIMI RACI FOTOGRAFI - FAMILJA SKENDE - DARDHE 1926

Liljana Vasil Balli kujton te gjithe pjesetaret e kesaj fotografie dhe i pershkruan .....

Në mes të fotos është mëmë Lena [prej të Nokeve] martuar me Kolë Skënden i cili hyri dhëndër brënda në të Nokeve. Lena ishte vajzë e vetme. Ishte grua e zgjuar, me trup  të gjatë e të drejtë shumë shakatore, rrojti 102 vjeç. Kolja, burri i saj  punoi si sharrëxhi në pyjet e Greqisë së bashku me djalin e madh Janin. Jani prej andej vendoset në Misir punon rëndë, kthehet në Dardhë i sëmurë dhe vdes në moshën 32 vjeç. Pas disa vjet vdes dhe Kolja. Spiroja djali i dytë martohet me Marien e Xhamos. Pati dy djem Fanin dhe Gaqin. Maria vdes, Spiroja  shkon në Amerikë merr me vete djalin e madh Fanin. Spiroja kthehet në Atdhe me "Banda Vatrën'' dhe me Thoma Nashin parakalojnë në Vlorë duke  kënduar këngën e njohur “ Vlora  Vlora bjëri më të lumtë dora”. Është i dekoruar nga Presidiumi  i Kuvëndit Popullor me medaljen ''Patriot i Rilindjes Kombëtare''. Martohet me Agathoniqin, Korçare [Niqkën] bën dy vajza, Erjeta dhe Lirika. Erjeta Skënde [Ikonomi], mbaron shkollën "Nëna Mbretëreshë'' bëhet mësuese e talentuar. Vajza e vogël Lirika Skënde [Maduli] u aktivizua në Luftën NÇL, del partizane. Mbas clirimit shkon në Maqedoni si mësuese u mëson shkrim e këndim në gjuhën shqipe atdhetarëve shqiptarë. Në fund punoi si normiste në Ndërmarrjen e Veshjeve deri në pension. Në Korçë Spiroja punon si polic, Fani vjen nga Amerika martohet më Kaliroi Korçarin dhe shkon në Amerikë bashkë me gruan. Gaqi martohet në Dardhë me Sandën e Gjerazit, vdes në Dardhë.

Vajza e madhe, Frosoja martohet me Petren e Kotepanos. Pati dy fëmijë; Mitin dhe Vikon. Miti martohet me Thomaidhën e Gjikës e bën dy djem Gaqin dhe Koçon. Miti shkon në Amerikë dhe vdes aty.  Thomaidha dhe Gaqi aktivizohen në luftë për çlirimin e vendit, Gaqi del partizan. Mbas çlirimit vendosen në Tiranë me të dy djemtë, Frosoja jeton në Dardhë e vdes aty.

Vikoja martohet me Gaqo Ndrion. Edhe Gaqua shkon në Amerikë dhe kthehët në Dardhë. Patën këta fëmijë; Julinë e cila del partizane e Luftës NÇL, Pandin dhe ky del partizan por mbas çlirimit të vëndit vritet në përpjekje për mbrojtjen e Atdheut, është dëshmor i Atdheut. Arsinoi [Noi] vajza e dytë, Sotiri dhe Koçua i cili martohet me Smaragda Ktona. Familja vendoset në Korcë, Gaqua punon në fabrikën e lëkurëve.

Djali i tretë Dhimitri [Xhimi] i sapo ardhur nga Amerika beqar martohet me Aspasi Panin. Pati katër fëmijë, Lenin martuar me Vangjo Kondën, Kolin martuar me Qeti Comin, Janin martuar me Ollgë Kostandinin dhe Petritin martuar me Elisabeta Meksi. Xhimi ishte një burrë fisnik i zgjuar, autoritar, mikpritës dhe atdhetar. Ai punoi në Amerikë në pozicione shumë të mira. Kthehet në atdhe në Dardhë me të ardhura të bollshme. Ndërtoi një shtëpi të bukur që dhe sot shkëlqen në vëndin ku ndodhet. Edukoi fëmijët si arsimdashës, Koli dhe Jani të dy binjakë iu përkushtuan arsimit në zona të vështira por me sukses. Petriti vazhdoi Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën Matematikë – Fizikë. Punoi si petagog dhe në fund i’u kushtua Fizikës-Bërthamore me shumë sukses. Sot familja e Lenit, Janit, Petritit janë me banim në Amerikë. Koli e dashuron vëndlindjen si babai i tij, jeton në Dardhë e Korçë.

Vajza e dytë Evdhoksia [Dhoksi] u martua me Ilia Thimi Balli. Patën katër fëmijë Vasilin, Magdalininë [Laninë], Thomanë  dhe  Praksithenë. Iloja  mbetet jetim, shkon në Greqi në sharrat e Selit e punon si djalë konaku. Më vonë Iloja punon si lëkuraxhi në Anadoll Odesë, dhe  në Rumani. Kthehet në Dardhë,  martohet me Dhoksin e Skëndeve. Shkon në Amerikë në vitin 1900 [kemi pashaportën amerikane të vitit 1900] Dhoksi pret fëmijën e parë. Në Amerikë Iloja punon më përkushtim,  bëhet antar i “ Vatrës” dhe “Bletës Shqiptare”. Atje ai u brumos plotësisht si një patriot i vërtetë shqiptar. Iloja bëhet mik me Fan Nolin, punon me bashkëfshatarin e tij Sotir Peci e të tjerë. Për meritat e tij dhe në Atdhe ai dekorohet nga Presidiumi i Kuvëndit Popullor me dekoratën “ Patriot i Rilindjes Kombëtare ”. Në Amerikë punon me përkushtim për të mbledhur të ardhura që të realizojë ëndrrën e tij të ndërtojë një fabrikë lëkurësh, profesion që e dashuronte. Kthehet në Atdhe dhe me shumë përpjekje dhe me mundime kur dhe Vasili ishte bërë 17 vjec, në vitin 1917 ndërtojnë fabrikën e lëkurëve fillimisht më të vogël e më pas më të madhe. Iloja këtë profesion ja la trashëgim djalit të madh Vasilit. Vasili duke patur zell të madh për profesionin e bëri fabrikën më moderne për kohën duke sjellë dhe makineri nga importi.

Në vitin 1946 fabrika u shtetëzua. Mbas shtetëzimit Vasili punon aty me shumë ndërgjegjje e përgjegjësi i nderuar dhe i respektuar. Ai dekorohet me Urdhëra Pune KL e parë , e dytë, e tretë, Laurant  i Çmimit të Republikës dhe dekoratën si Patriot dhe shumë medalje të tjera.

Vasili në kohën e Fan Nolit ka kryer shërbimin ushtarak në Përmet. Për shërbim shumë të mirë është dekoruar me orë të artë [ floriri]. Në kapakun e orës shkruhet motivacioni i dhënies. Kjo orë ndodhet në familjen e tij.

Lania vajza e madhe martohet me Spiro Dhimitrin në Seattle Washington në Amerikë. Aty patën biznesin e tyre fabrikë trikotazhi [Firma Demetre]. Lania vdes në Amerikë la pas tre djem.

Thomaj djali i dytë i Ilos, bën shkollën teknikë të kohës në Korcë dhe bëhet një mekanik i shkëlqyer i talentuar me duar të arta [ç’i shikonte syri ia bentë dora] siç thoshin. Punon në fabrikën e lëkurëve si mekanik. Për punë të mirë  është dekoruar me medalje e Urdhëra Pune. Praksithea vajza e dytë studjoi në Itali për mjeke gjinekologe. Pa mbaruar studimet sëmuret rëndë dhe vdes në moshën 22 vjecare më 15 gusht 1942 nëKorcë. Në shkrimin e fundit të jetës shkruan “ Nuk më vjen keq që vdekja më rrëmbeu të re dhe më solli këtu ku do të vijnë të gjithë me radhë, por më vjen keq që nuk munda të mbaroj studimet Universitare që t'i shërbej sado pak familjes dhe Atdheut tim të dashur ” Praksithe Ilia  Balli Dardha. Ky mbishkrim gjëndet sot mbi varrin e saj.

Vajza e tretë Panajoja [Najoja] binjake me Xhimin u martua me Naum Poron [Numi i Llazorit]. Në Amerikë ishte maratonist i dalluar për kohën dhe atlet. Nga martesa patën dy fëmijë, Thomanë dhe  Këthrin. Najoja kthehet në Dardhë me të vëllanë Xhimin dhe me fëmijët më 1926. Djali i Najos, Thomaj vdes pas katër vitesh në Dardhë. Këthri martohet me doktor okulist Sotir Velo nga Dardha nëna e Piro Velos, Maks Velos, Djanas dhe Rozas. Nëpërmjet këtij shkrimi tregova nga pak gjëra që dija për këto familje të cilat sot janë degëzuar dhe  kanë pasardhësit e tyre. Secila familje mund të shkruajë më tej.   

Në foto janë:

Rradha e parë: Thoma Balli, Julia Ndrio, Praksithe Balli, Erjeta Skënde Ikonomi, Lirika Skënde Maduli, Pandi Ndrio.

Rradha e dytë: Viko Ndrio, Arsinoi Ndrio, Thomaidha Kotepano, Gaqi Kotepano, Froso Kotepano, Helena Skënde, Agathoniqi Skënde, Dhoksi Balli, Najo Skënde.

Rradhe e tretë: Kethri Poro, Gaqi Ndrio, Miti Kotepano, Petre Kotepano, Spiro Skënde, Miti Skënde, Ilo Balli, Fani Skënde, Vasil Balli, Gaqi Skënde, Thoma Poro, Lania Balli.

Shkruar nga Liljana Vasil Balli Stratobërdha

23 Gusht 2013