E Mërkurë 18 Jan 2017

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Shtyp

Shkruar nga Adriana Stefani on E Premte, 31 Tetor 2014 22:11. Posted in Arshiva

VANGJELI ILO GJINO (SINJARI) - Autobiografi

Para se të shkruaj diçka për jeten time e ndjej për detyrë të përmend të dashurit prindër, ata që na mësuan si ta duam njëri tjetrin, si të duam Atdheun dhe të punojmë me ndershmëri në çdo aktivitet të jetës. Babaj Ilua dhe nëna Aspasia ishin dy bashkëshortë që e donin dhe e respektonin shumë njëri tjetrin. Nuk grindeshin asnjëherë, komunikonin në mënyrë të shkëlqyer. Çdo problem e hallet e shumta me gjithë fukarallëkun që kishin i diskutonin veçmas, me përjashtim të atyre që u takonin fëmijëve, ato bëheshin të hapura së bashku me ne fëmijët. Nëna na kishte ngulitur ndjenjën e pakufishme ndaj babajt, duke na porositur që kur të vijë babaj mos e shqetësoni për asgjë se ay lodhet duke shkuar fshat më fshat që të na mbajë neve me bukë.

Pra fjala e babajt nuk bëhej dysh: Djemtë përvëç shkollës që u kërkonte me nivel të lartë, i ngarkonte dhe me punë shtëpije, të shkurtonin drutë, ti stivosnin, të ujitnin gradinat, të mblidhnin kumbullat, etj. Neve çupave nëna na kërkonte përveç shkollës të mësonim dhe nikoqirllëket, natyrisht nën shëmbullin e saj, të lanim dyshemetë, të qepnim e të arnonim etj.

I vetmi rast që e kemi pare babanë të nervozuar ishte kur një ditë u kthye nga Devolli ku kishte punuar, vari torbën dhe veglat në qilar dhe dolli e pas ca u kthye tërë qef e i thotë nënës: Pasë! do nisem për në Amerikë. Ja ku ma dërgoi Llazi navllon. Nëna i mori ato në dorë u hodhi një sy dhe i grisi më dysh. Ç’ bën moj grise navllon si do shkoj unë? Nuk do shkosh more Ilo! Ku do lesh gruan me 5 femijë? Nëna kishte një llogjikë bindëse të forte dhe e qetësoi babanë. Nuk e di sa shkollë kishin, por ata shkruanin e flisnin shqipen shumë mirë, po ashtu gërqishten qe e kishin me shkollë, babaj dinte dhe rusisht.

Në shtëpinë tonë vinin çdo vit për verim Hil Mosi, më von Selim Shpuza etj. dhe këta bisedonin me prindërit e mij për gjendjen ekonomike, vuajtjet e puntorëve për të fituar bukën etj. Kështu që më vonë kur babai e çoi familjen në Korçë, ai mori pjesë në demostratën e bukës më 1936 ku u rrah keq nga xhandarët.

Më vonë nga 1939 e në vazhdim në bodrumet e shtëpisë ku banonin dëgjohej çdo natë BBC dhe Radio Moska shqip. Qysh atëhere nëna mësoi internacionalen. Kur filluan gueriliet çdo ditë në vatrën e ashefit ngrohej një kazan me ujë që kur guerilasit kërcenin nga muri i kopështit futeshin në ashef ku nënë Pasa i priste për tu hedhur ujë për të larë baltrat. Nën atë vatër ku ngrohej uji vendoseshin bomba, fishekë, revolverë etj. dhe vatra lyhej çdo ditë me baltë.

Ndërsa në katin e dytë në çardhak nën ustallëkun e baba Ilos ku ay hoqi disa dërasa e bëri vend ku mbaheshin pushkë, bomba, makina e shkrimit letra e komunikata që shkruheshin gjithë natën në dhomën e djemve dhe përsëri kujdesi i babajt që i maskonte në mënyrë të përsosur si dhe nënës për të shtruar e zbukuruar që nuk diktoheshin asnjeherë me gjithë kontrollet e herë pas herëshme nga karabinjerët.

Pra unë Vangjelia u linda në këtë familje më 30 dhjetor 1924. Arësimin fillor e kreva ne Dardhë, uniken në Korçë dhe kam bërë 2 vjet shkollën e mamive në Bukuresht Rumani ku më mori daja im Andrea Ktona, për ti ardhur në ndihmë motrës së tij Aspasi që kishte 5 fëmijë dhe punonte vetëm babaj.

U ktheva nga Rumania nga fundi i vitit 1942 pa mbaruar vitin e fundit të shkollës pasi ardhja e ushtërisë gjermane atje krijoi probleme edhe në familjen e dajës. Më 1943 u aktivizova në Lëvizjen Nac. Çl. duke shpërndarë trakte dhe duke përgatitur vajza për ndihmën e parë si infermiere në çeta etj. Theksoj aksionin e guerilasve për lirimin nga burgu i spitalit të disa kuadrove si Sotir Karapanço, Foni Thano, familja Plaku etj. Unë dhashë ndihmesën time duke skicuar hyrjen për në spital zbritjen poshtë për në dhomat e burgut dhe daljen prej andej. Aksion që dolli me sukses të plotë nga njisiti i cili komandohej nga Vaskë Gjino, Petrit Dume etj.

Më von babaj ne dy motrat na solli në Tiranë dhe që këtej dolla partizane në çetën e Pezës më 5 Prill 1944 nga e cila në tetor 1944 u formua brigata e XXII S, në fillim si luftëtare pastaj me përgjegjesi komandante skuadre, sekretare rinie kompanie dhe me riorganizimin e brigatës ne Tuz në dhjetor 1944 mu ngarkua detura si sekretare rinie e Batalionit IV të cilin e mbajta deri në kthimin nga Jugosllavija në Nëntor 1945.

Në të gjitha luftimet si këtu edhe jashtë Atdheut në Mal të Zi, Bosnjë, Sanxhak, e deri në Vishegrad kam marrë pjësë aktive dhe në kohën e lirë të mundëshme u mësonja partizanëvë analfabetë shkrim e këndim, shkruanja artikuj në revistën “Përpara” organ i brigatës së XXII, vjersha për të rënët etj. me pseudonimin V. Dardha, Iris, etj. Jam plagosur në korrik 1944 në një fshat të quajtur Ramallie, afër Kavajës dhe me barele më transportuan në spitalin partizan të Kryeziut (Pezë) ku u mjekova rreth një muaj, pastaj shkova në batalion e pashëruar deri në kthimin nga Jugosllavia në Nëntor 1945. Më 1946 u shtrova në spitalin ushtarak ku pas një operacioni të vështirë dola invalide e L.N.Çl.

U lirova nga ushtëria me graden nën Togere në Janar 1946 dhe po atë vit qarkori i Tiranës ( Gogo Nushi) më emëroi drejtore të të parës Poliklinikë e cila filloi aktivitetin në shtëpinë e doktor Tartarit (Rruga e Kavajës) me një personel minimal, tre mjekë Dr. Isuf Dashi, Dr. Mirzabeg (bjellorus) Dr. Roza Buda (pediatre), tre infermiere, dy laborante dhe dy infermierë (burra) që dërgoheshin në fshatra për dipestime të tuberkulozit dhe sifilizit, ndërkohë që poliambulanca priste çdo ditë rreth 250 pacientë të rritur dhe dhjetra fëmijë për mjekim.

Për ndihmë vinin dy tre herë në javë nga 2 orë mjekë nga spitali civil e ushtarak si Fejzi Hoxha, Dr. Sulçebej, Dr. Hiqmet Dibra etj.

Më 1949 për arësye të transferimit të burrit tim Sotir Sinjari shkova në Shkodër ku punova në zyrën e pashaportizimit.

Më 1951 u kthyem në Tiranë dhe u emërova drejtoreshë e çerdhes 12 me kapacitet 70 femijë.

Më 1957 kalova në degën e Tregëtimit te Librit ku punova deri më 1974. Që këtu nën akuzën “mungesë vigjilence” sepse u dënuan vëllezërit më çuan punëtore prodhimi në shtypëshkronjën “Mihal Duri” nga ku dola në pension më 1978.

Dua të shtoj se kudo që kam punuar, përveç punës shtetërore kryeja dhe shumë detyra shoqërore në Parti e Pushtet si anëtare e Keshillit Popullor në Tiranë, ndihmës gjyqtare, Kryetare e Frontit në të gjitha lagjet ku kam banuar, kryetare e bashkimeve profesionale nëpër ndermarrje.

Kudo që kam banuar kam shkelur për gjithe keto vite qindra shtepi për tu dhëne ndihmë mjekësore të rriturve e sidomos fëmijëve, pa asnjë fare shpërblimi, aq sa ish kryetari i Frontit të lagjes i ndjeri Isa Ibrahimi thoshte: ”kur të vijë ndonjë kohë tjetër Vangjelisë do ti ngremë këtu në oborr një lapidar”.

Dhe me gjithë këtë aktivitet e vullnet për të kryer çdo punë dua të kujtoj të mrekullueshmin bashkeshortin tim Sotir Sinjari, shok të luftes e të jetës që më jepte zemër e më ndodhej gjithmonë pranë duke më ndihmuar e inkurajuar shpirtërisht për të përballuar dhimbjen pas dënimit të vëllezërve për të cilët lotët e hidhur i kam derdhur nën batanie për vite me rradhë.

Edhe Sotiri ka qene një ushtarak me ndergjegje të lartë dhe një aktivist shumë i shquar i veteraneve të luftës deri ne fund te jetës (vleresim qe i u bë në varrimin e tij nga i dërguari i Komitetit te Veteranëve M. Kokomani).

Ai e donte shume Dardhën dhe dardharët (megjithse nuk ish dardhar). Madje edhe në dy tre vjetët e fundit kur ishte i sëmurë preferonte të pushonte në Dardhë me dardharët.

 Po ashu nuk mund të rri pa përmendur të mirën e të shtrenjtën teton time Theano Stefani e cila nuk mu nda gjatë gjithe jetës dhe kur unë vuanja e qanja për vellezërit e mij të dënuar nga rregjimi monist, dhe kur më shoqëronte nëpër vorrezat e shkrepat e Burrelit për të gjetur eshtrat e Vaskës tonë të shtrenjtë.

Jam Pensioniste, veterane, e invalide e L.N.Çl.

  Autori. Vangjeli Sinjari  - 2002

 Theano Ktona Stefani kujton për motrën Aspasi dhe familjen e saj.

Kur kontrolluan një herë karabinjerët shtëpinë e Aspasi Gjinos e bija e saj Ollga i kishte bombat të mbështjella në mësallë. Kur deshin ta kontrollonin e i thonë: Ç’farë ke këtu. Ajo përgjigjet. “Ju s’ keni të drejtë të më prekni dhe këto i kam patate për të bërë gjellën”. Kështu që shpëtoi.

Motra ime Pasa para se të vinte në Vithkuq ku ishte dhe i biri Vaska erdhi tek unë në Tiranë dhe i kam dhënë 5 napolona për ti’a u dhënë. Kur ish këtu erdhi Vangjelia dhe e lajmëroi që iku dhe Sotka partizan. Vangjelia ka ikur partizane nga shtëpia e ime. Kishin zënë shtëpi dhe rinin vetë në Mjalica e Dakut. Mua erdhi Ollga dhe më tha që iku dhe Vangjelia. Kur iku partizane ish me zëmër dhe ne thamë që iku dhe nuk do kthehet.

Ollga kish filluar me Xhinon dhe unë i them Pasës në letër që të vish një sahat e më parë. Ajo kish blerë biletë për vete, po dërgoi Ilon se e dinte që kishin demostratën pandaj nuk erdhi. Ajo i mblodhi shoqet për të shkuar në demostratë dhe jo Vanthia e Nashit. Më kanë thënë shoqet e Korçës që i ka thirur Pasa (Dafka kushërira e Efterpit).

Kur ish kriza e bukës Pasa ka vajtur dhe ka qënë në krye. Sapo ka dalë prefekti ajo i ka dhënë bukën dhe i ka thënë: ”Shiko ç’ farë buke ha populli”

Kur ka vajtur në Korçë në fillim ka ndenjur prapa Shëngjergjit, aty janë bërë edhe kontrollet.

Mbas vrasjes, Sotka ka vajtur e ka parë Pasën se ish partizan në kodrat e Korçës. Më duket se është veshur si grua kur ka vajtur e ka parë. Mua më lajmëroi Kosta Ktona. “Aj të vemë nga çupat”. Është vrarë Pasa thashë. Ilos i tha Niko Ziso me Kostë Ktonën.

Nga spitali e mori i jati Thanasi me Irakun e Llacit. Kushëriri i parë i babajt. Këta e varrosën. Ilua i shoqi shkoi pas tre muajsh se u bllokua rruga. Nga kjo i kishin vjedhur dhe shtëpinë.

   Këtë material e përgatita për Tetkën time shumë të shtrenjtë Vangjeli, të ciles i uroj shëndet e jetë të gjatë. Ajo do të mbushi plot 90 vjet më 30 Dhjetor 2014. Kujtimet e saj i kishte shkruar dhe ruajtur xhaxhai im Vangjo Ilo i cili ka bërë një punë kolosale për Dardharët dhe arkivimin e historisë së Dardhës.

 

ADRIANA STEFANI KURUNI
      1 NENTOR 2014