E Martë 30 7or 2014

EJA NË DARDHËN E BUKUR...

NATYRA E FSHATIT ME KULTURË QYTETI...

  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
  • default style
  • blue style
  • green style
  • red style
  • orange style
  • lilac style
Shtyp

Leonidha Vangjel Cika 1883-1933

Shkruar nga Adriana Stefani on 22 Prill 2013. Posted in Arshiva

 

LEONIDHA VANGJEL ÇIKA

Mësuesi i Parë në Shkollën Shqipe në Dardhë  1917

 Shkolla e pare shqipe ne Dardhe 1917.

Lindi në fshatin Dardhë në vitin 1883. Emigroi bashkë me t’ atin Vangjelin në Greqi dhe në Turqi. Në Greqi ku i ati Vangjel Çika jepte mësim në ishullin e Egjeut Kos, mori studimet e mesme dhe Leonidha. Ai dinte 4 gjuhë ashtu si dhe i ati, gërqisht, anglisht, frëngjisht dhe turqisht. Emigroi dy herë në Amerikë. E para në vitin 1906, e dyta në vitin 1925. Në vitin 1913, kur u kthye u martua me një vajze nga të Tabakut, por kjo i vdiq pas dy vjet pa lënë fëmijë. U martua për të dytën herë në vitin 1916 me Dorothenë të bijën e Ligor Llacit me të cilën pati tre fëmijë, Kostaqin, Nikon dhe Lirikën të lindur njëri pas tjetrit brenda një  kohe të shkurtër. Lirika vdiq pas dy vjet nga një atak zemre.

Leonidha ishte një intelektual patriot. Ishte i lidhur me qarqet patriotike që punonin në shoqëritë e ndryshme në SHBA dhe në Rumani. Në fillim të vitit 1917 ishte ai promotori i hapjes së shkollës së gjuhës shqipe në Dardhë krahas asaj greke. Në fillim kishte mbi 20 nxënës, por shpejt i ndihmuar edhe nga fshatarët që kishin emigruar në Amerikë, kjo shifër u rrit çdo vit. Shkolla, një ndërtesë e re dhe e bukur përfundoi në vitin 1924. Kjo ishte dhuratë e patriotëve nga Amerika, të cilët dhuruan 12.000 dollarë. Shkolla ishte një godinë moderne që nuk kishte në asnjë fshat tjetër të Shqipërisë si ajo. Dha mësim si mësues i shoqëruar dhe nga dy mësuese deri ne vitin 1921-1922, kur me urdhër nga inspektoriati i arësimit Korçë me në krye Sotir Papariston u pushua nga puna dhe në vënd të tij u emërua një tjetër. Atëhere Leonidha duke mos gjetur ngrohtësinë e qeverisë shqiptare, sepse ishte Fanolist, u largua në SHBA nga ku erdhi me lejë gjatë krizës së madhe ekonomike që kishte prekur Amerikën në vitin 1932. Ndenji me lejë në Dardhë një vit e gjysmë.

U kthye sërish në SHBA, ku pas pesë muaj duke vuajtur nga një sëmundje e pashërueshme nuk punonte dot dhe i dha fund jetës. Ai ishte një mësues i aftë dhe ndihmoi shkollën me libra duke bashkëpunuar dhe me mësuesin që e zëvëndësoi, dhe deri sa vdiq e përvëloi malli për vënd lindjen e tij të dashur, për të cilën kishte punuar me vetmohim. Ai ishte një patriot, një mësues i mirë, një bashkëshort ideal, një enciklopedist me njohuri të gjëra. Ka hartuar një tekst arithmetike me 1250 faqe e cila do tu shërbente nxënësve të pesë klasave fillestare, por për arësye fondesh nuk mundi ta botonte. Artikuj të shumtë ka shkruar në gazetat “Shqiptari i Amerikës” që botohej në Korçë nga Thoma Nashi, gazeta “Shqipëria e Re” që botohej në Konstancë, ku mbante lidhje me Andrea Ktonën i cili punonte në këtë gazetë, dhe me gazetën “Dielli” në të cilën ka shkruar mbi 10 artikuj.

Ishte i drejtë, një shok i dashur dhe punoi me ndershmëri për ngritjen e shkollës. Ishte sekretar në komisionin e ngritur për ndërtimin e saj si dhe llogaritar. Dhe arriti deri sa të shihte këtë shkollë të ngritur plotësisht me një kopësht përpara, me një oborr të madh anash,  ku nxënësit kishin terren për të luajtur  dhe Leonidha Cika
për të bërë gjimnastikë. Shkolla kishte një sallë ku jepeshin shfaqje teatrale.

 Mbi dorëshkrimin e Leonidha Çikës

Të dhëna mbi një libër të karakterit shkollor të hartuar nga Leonidha Vangjel Çika, që ka arritur deri në ditët tona i pacënuar.

Ky libër është shkruar për tu përdorur në shkollat fillore për të gjitha klasat që nga e para deri në e pesta të shkollave fillore. Madje sipas shënimeve të tij ky duhet të shërbente edhe për ata që ndiqnin shkollën e natës (sipas sistemit amerikan), por për fat të keq nuk u botua sepse kushtonte tepër dhe nuk sponsorizohej. Mos harrojmë se ky libër është përfunduar në korrik të vitit 1924. Është i lidhur me një kapak që ka rezistuar dhe mund të rezistojë edhe një kohë të gjatë, sepse fletët janë të punuara nga brumë orizi që nuk kanë pësuar asnjë zverdhje ose dëmtim. Në rast se i hedh një sy këtij libri të bën përshtypje që fletët që kanë kaluar një përiudhe kushedi sa vjeçare (sepse s’ dihet se kur janë prodhuar duken si fletë fletore të ditëve tona). Puna titanike që ka bërë Leonidha në hartimin e këtij libri duket nga burimet nga i ka marë të dhënat nga vullneti i tij për të përballuar një vepër me karakter mësimdhënie në lëndën e arithmetikës. Ky libër përfshin 1249 faqe dorëshkrimi kaligrafik. E çuditëshme është se në gjithë këto faqe nuk gjen një pikë të tepërt as edhe një njollë që mund të lerë boja e shkrimit. Mbi këtë libër është shkruar edhe parathënia e cila i a vlen të vihet në dukje ashtu si e ka shkruar Leonidha. Këtu duket dhe puna dhe përkushtimim i tij për mbarëvajtjen e arsimit shqip.

Parathënie e dorëshkrimit të librit të arithmetikës.

Duke parë më një anë nevojën e madhe që ka populli shqiptar për libra mësimi në gjuhën e vet dhe në tjetrën anë duke përmendur se është detyrë e çdo atdhetari të punojë me sa i mundet për përparimin e gjuhës së tij u shtrënguam të nxjerim në dritë këtë mathematikë praktike.Mjafton tu njoftojmë se e shkruam këtë libër me qëlim, që jo vetëm djelmuria shqiptare, por edhe ata të moshës së shkuar të mësojnë me atë lehtësinë më të madhe mësimet e arithmetikës, dhe me një mënyrë fare të çquar që do ta tregonjë udhën e zhvillimit të problemave pas atyre rregullave të sistemit të mbaruar.

Këndonjësit dhe veçanërisht çdo shqiptar që dëshira e tij është që të këtë dije të plotë mbi mësimet e arithmetikës, janë shumë të nevojshme dhe të vlejtura në jetën e njeriut, duhet të ketë një shok dhe udhëheqës të pandarë këtë atithmetikë praktike, në të cilën do të gjejë të gjithë lëndën që mësohet në shkollat e para të kombeve të qytetëruara dhe të cilën e ndajmë në disa pjesë që bëjnë fjalë mbi mësimet e shumvlefshme të mathematikës. Veç këtyre dua të shënoj se pengimet që gjeta në të shkrojturit e kësaj libre qenë shumë të rënda, aqe të rënda sa shumë herë nuk më jepnin leje të vete përpara, por zoti dhe dëshira e madhe që kisha për të mbaruar këtë vepër kaqe të rëndë por dobiprurëse më dha fuqinë dhe kuximin që ti kapërxej gjithë vështirësitë. Po është gjë e kotë që të zgjatemi më tepër për këtë pikë, se harrin që këndonjësi të hedhë një sy mbi këto mësime dhe do të bindet vetë për nevojën e tyre.Duke shpresuar që do të pritet kjo vepër me kënaqësi, çfaq falënderimet e mija që më parë

                                                                        Leonidha Vangjel Çika, Dardhe Korrik 1924

Miti Vangjel Çika , vëllai i Leonidhes.

Lindi ne Dardhë më 1881. Ka emigruar në SH.B.A. që në vitin 1902. Aty ra në kontak me patriotë të tjerë dhe u bë një propagandist i flakte për çështjen shqiptare. Ka marrë pjesë në shoqërine patriotike dardhare dhe në shoqërine panshqiptare “Vatra”. Ka shkruar disa artikuj në gazetën “Dielli” kundra shovinisteve grekë dhe për përhapjen e shkolles shqipe. Për këtë qëllim e studjoi dhe vëllanë e tij Leonidhen dhe e dërgoi si mësues të gjuhës shqipe në Dardhë. Miti deri sa vdiq dallohesh për patriotizëm dhe jo vetëm kaq por ka qënë shumë përparimtar. Ka qënë bashkëpuntor i Sotir Pecit, Fan Nolit, Kostë Isakut, Josif Panit etj.

 

 Materiali është marrë nga “Dardha dhe Njerëzit e saj”,  Libri I -rë me autor Vangjo Ilo - Shkurt 2001 dhe nga kujtimet e Niko Leonidha Çika në Tiranë më 20.12.2000.